U zbulua monumenti më i lartë i Virgjëreshës Mari në Evropë: U ndërtua me fondet e polakut më të pasur

Në fshatin Konotopie, në Poloninë qendrore, është përuruar solemnisht një monument madhështor i Virgjëreshës Mari, i cili besohet se është më i larti i këtij lloji në Evropë.

Në ceremoninë e bekimit të monumentit, i cili arrin lartësinë 55.6 metra, morën pjesë qindra besimtarë, si dhe lideri legjendar i lëvizjes antikomuniste dhe ish-presidenti i Polonisë, Lech Wałęsa.

Monumenti në fshatin me më pak se 150 banorë është më i lartë se statuja e famshme e Krishtit Shëlbues në Rio de Janeiro, e cila bashkë me bazamentin arrin 38 metra, si dhe statuja e Krishtit Mbret në Świebodzin, në perëndim të Polonisë, me lartësi 52.5 metra.

Lartësia e monumentit të ri përfshin edhe një bazament masiv në formë kurore, rreth 15 metra të lartë, brenda të cilit është ndërtuar edhe një pikë panoramike.

Edhe pse në botë ekzistojnë statuja më të larta të Virgjëreshës Mari, përfshirë atë në Filipine që arrin 98 metra, monumenti polak aktualisht mban rekordin evropian.

Ceremonia u shoqërua me muzikë dhe valle tradicionale nga ansambli folklorik Mazowsze, ndërsa priftërinjtë celebruan meshën. Nga një helikopter mbi pjesëmarrësit u hodhën gjithashtu trëndafila të vegjël të kuq.

I ftuari kryesor në inaugurim ishte 82-vjeçari Wałęsa, fitues i Çmimit Nobel për Paqe dhe ish-udhëheqës i sindikatës Solidarność.

Wałęsa, i cili gjatë luftës kundër komunizmit mbante një simbol me figurën e Zonjës së Zezë dhe e konsideronte fenë e tij si një forcë shtytëse, tha se ky moment kishte një domethënie të thellë personale për të.

“Ky është fundi i rrugëtimit tim. Fillova me Virgjëreshën Mari dhe po e përfundoj me Virgjëreshën Mari”, tha Wałęsa.

Ndërtimi i monumentit u financua nga Roman Karkosik, një prej biznesmenëve më të pasur të Polonisë, së bashku me bashkëshorten e tij Grażyna.

Karkosik u pasurua gjatë viteve 1990 përmes prodhimit të shisheve plastike dhe investimeve në Bursën e Varshavës.

Çifti, i cili jeton në një kështjellë jo larg Konotopies, deklaroi se monumenti është shprehje e mirënjohjes së tyre ndaj Zotit.

“Statuja do të jetë për të gjithë njerëzit. Kushdo që e viziton do të reflektojë më thellë mbi jetën e tij dhe jo vetëm mbi Zotin”, tha Grażyna Karkosik.

Autoritetet lokale besojnë se monumenti do të shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm pelegrinazhi dhe turizmi.

Përurimi në Konotopie vjen në një periudhë kur Kisha Katolike në Poloni, megjithëse vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm në zonat rurale dhe te popullsia e moshuar, po përballet me rënie të ndikimit te të rinjtë dhe banorët e qyteteve.

Peshkopi polak Wiesław Mering deklaroi gjatë ceremonisë se dobësimi i ndikimit të Kishës i shqetëson shumë besimtarë, por se ky monument është “një kujtesë se Maria nuk do të heqë dorë nga Polonia”.

Polonia është gjithashtu vendlindja e Shën Gjon Palit II, i cili udhëhoqi Kishën Katolike nga viti 1978 deri në vdekjen e tij në vitin 2005. Një monument i tij, dukshëm më i vogël se ai i Virgjëreshës Mari, është ngritur më shumë se një dekadë më parë në qytetin Częstochowa.

Kategoritë
BotaLajme