Turqia e Egjipti me ushtrime të përbashkëta detare për herë të parë pas 13 vjetësh

Turqia dhe Egjipti do të zhvillojnë ushtrime të përbashkëta detare për herë të parë në 13 vjet, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, përderisa po vazhdon ngrohja e marrëdhënieve mes dy fuqive rajonale.

Ushtrimet e emërtuara “Deti i Miqësisë” do të mbahen në pjesën lindore të Detit Mesdhe mes datave 22 e 26 shtator dhe nga armatimi turk do të përfshijnë fregata, anije për sulm të shpejtë, një nëndetëse dhe aeroplanë luftarakë të tipit F-16, bashkë me njësitet detare egjiptiane, tha kjo ministri, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Komandantët më të lartë të forcave detare të të dyja vendeve pritet që të marrin pjesë në një ditë vëzhgimi të nivelit të lartë më 25 shtator, thuhet më tej në njoftim, duke e nënvizuar rëndësinë e këtyre ushtrimeve pas më shumë se një dekade me marrëdhënie të tensionuara.

Raportet mes Egjiptit dhe Turqisë – përkrahëse e gjatë e grupit Vëllazëria Myslimane – u përkeqësuan para një dekade pas puçit ushtarak në Egjipt më 2013, me të cilin u rrëzua presidenti i atëhershëm, Mohammed Morsi, i cili ishte ngritur pikërisht nga Vëllazëria Myslimane, gjatë protestave masive kundër pushtetit të tij përçarës. Egjipti e shpalli këtë grup organizatë terroriste.

Marrëdhëniet mes Ankarasë e Egjiptit ishin tensionuar edhe për dallimet e politikave të tyre rreth Libisë dhe pjesës lindore të Mesdheut.

Dy vendet u pajtuan që t’i riparonin marrëdhëniet dhe të riemëronin ambasadorë në kryeqytetet e njëri-tjetrit në vitin 2023 dhe prej asaj kohe janë zhvilluar disa vizita mes udhëheqësve e zyrtarëve turq e egjiptianë.

Të dyja shtetet gjithashtu kanë marrë qëndrime të vendosura kundër operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, duke punuar së bashku për arritjen e armëpushimit.

Kategoritë
BotaLajme