Kompania turke Baykar bleu tokë në Ukrainë dhe e regjistroi atë si person juridik, për të ndërtuar një fabrikë për prodhimin e dronëve Bayraktar. Këtë deklaratë e ka bërë ambasadori i Ukrainës në Turqi, Vassily Bondar, në një intervistë për gazetën “RBK-Ukraina”.
Sipas ambasadorit ukrainas, kompania turke ka përgatitur në mënyrë të pavarur planin për ndërtimin e fabrikës dhe synon ta realizojë atë “sepse ky ishte angazhimi pothuajse personal i pronarëve të kompanisë, për të nisur këtë prodhim në Ukrainë”.
“Në pjesën më të rëndësishme të modeleve që do të prodhohen në këtë fabrikë, do të përdoren komponentë të prodhimit ukrainas. Këto mund të jenë motorë, pjesë të ndryshme këmbimi, rrota”, shtoi Bondar.
Marrëveshja për çështjen e ndërtimit të fabrikës u miratua nga qeveria ukrainase dhe pritet të ratifikohet nga parlamenti ukrainas.
Në fund të qershorit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se presidenti rus Vladimir Putin i kishte shprehur atij dëshirën për të bashkëpunuar në prodhimin e dronëve Bayraktar.
Më vonë industria turke e mbrojtjes njoftoi se çështja e bashkëpunimit të mundshëm me Rusinë në këtë çështje nuk u diskutua.
Më 18 korrik, drejtori ekzekutiv i Baykar, Khaluk Bayraktar, në një intervistë për CNN, deklaroi se ai mbështet Ukrainën në luftën e saj për sovranitet dhe pavarësi dhe kurrë nuk do të lejojë që dronët e saj t’i shiten Rusisë.
Dronët turq janë përdorur nga ushtria ukrainase që nga viti 2021. Pas fillimit të luftës, furnizimet me armatim turk filluan të zemërojnë Moskën, duke e bërë Turqinë të fshehë shitjet e dronëve Bayraktar në Kiev.
Bashkëpronari dhe drejtori teknik i Baykar, Selcuk Bayraktar, është dhëndri i Rexhep Tajip Erdogan.