Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, planifikon të blejë qindra avionë pasagjerësh Boeing dhe avionë luftarakë të kompanisë Lockheed Martin, ndërsa njëkohësisht kërkon kontrata për prodhim lokal me vlerë mbi 10 miliardë dollarë, raportoi të martën Bloomberg News, duke iu referuar burimeve.
Lockheed Martin është një kompani ushtarako-industriale amerikane që prodhon avionë luftarakë e transportues, helikopterë dhe dronë, dhe avionët e saj janë ndër më të njohurit dhe më të përdorurit në botë, veçanërisht në vendet anëtare të NATO-s.
Siç raportohet, kontratat i nënshtrohen miratimit të presidentit amerikan Donald Trump.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë refuzoi të komentojë për Bloomberg.
Këto informacione vijnë para takimit të planifikuar midis Donald Trumpit dhe Erdoganit në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator. Trump pret që në atë takim të përfundojë marrëveshje tregtare dhe ushtarake, duke përfshirë blerjen e madhe të avionëve Boeing, një kontratë të rëndësishme për avionët F-16, si dhe vazhdimin e bisedimeve për programin F-35 me Turqinë.
Erdogan të hënën konfirmoi se Turqia do të negociojë për blerjen e avionëve luftarakë F-35 gjatë takimit me presidentin amerikan.
Turqia, në vitin 2019, e zemëroi administratën e Donald Trumpit me blerjen e sistemit rus raketor S-400, gjë që e shtyu Uashingtonin të anulojë shitjen e planifikuar të avionëve F-35 dhe ta përjashtojë Ankaranë nga linja e përbashkët e prodhimit të atij programi.
Pas kësaj, Turqia pranoi një marrëveshje për blerjen e avionëve F-16.