Gjatë javëve të fundit ka pasur incidente në kufijtë midis SHBA-së dhe Meksikës, si dhe SHBA-së dhe Kanadasë, ku turistë nga Evropa janë ndaluar në pikat kufitare, e disa prej tyre madje kanë përfunduar edhe në paraburgim.
Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë shtete evropiane po paralajmërojnë qytetarët e tyre për rreziqet e mundshme gjatë udhëtimeve në SHBA.
Qytetarët e vendeve evropiane janë bërë së fundmi objekt i kontrolleve të rrepta nga ana e policisë kufitare amerikane, e cila i ndalon në kufi duke pretenduar se ata kanë “shkelur rregullat” e vizave turistike.
Lucas Sielaff nga Gjermania kaloi 16 ditë në paraburgim pasi tentoi të hynte në SHBA nga Meksika, përpara se të kthehej në vendin e tij.
Fat të ngjashëm pati edhe Jessica Brösche, gjithashtu nga Gjermania, e cila kaloi gjashtë javë në paraburgim, prej të cilave një javë në izolim, sipas raportimit të AP News.
Në kufirin ndërmjet Kanadasë dhe SHBA-së, një turist nga Uellsi u ndalua nga policia kufitare amerikane dhe u mbajt për tre javë në paraburgim, përpara se t’i lejohej të kthehej në vendin e tij me shpenzimet personale.
Këto raste janë vetëm disa nga incidentet ku turistë evropianë janë ndaluar nga autoritetet amerikane, gjë që ka shtyrë disa vende evropiane të dërgojnë paralajmërime për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë në SHBA.
Për më tepër, disa universitete amerikane kanë filluar të kontaktojnë studentët ndërkombëtarë, duke i paralajmëruar të mos udhëtojnë gjatë pushimeve të pranverës “pasi mund të hasin probleme në kthim”, pavarësisht statusit të tyre ligjor.
Sipas AP News, këto incidente janë pjesë e një ndryshimi të madh në politikën amerikane për ruajtjen e kufijve, që ka ardhur me rikthimin e Donald Trump-it në postin e presidentit.
Përveç operacioneve masive të deportimit, administrata e tij ka shtuar kontrollet në kufi, dhe urdhrat për largim nga vendi nuk po i kursejnë as studentët me status të rregullt ligjor, nëse kanë marrë pjesë në protesta pro-palestineze në kampuset universitare.