Trump përmbushi premtimin dhe nënshkroi urdhrin për mbylljen e Ministrisë së Arsimit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për shpërbërjen e Departamentit të Arsimit, duke përmbushur një premtim elektoral dhe një objektiv të kahershëm për disa konservatorë.

Duke akuzuar agjencinë për “dështime tronditëse”, presidenti republikan premtoi se do t’i kthejë fondet që ajo kontrollon shteteve individuale.

“Do ta mbyllim sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Trump, edhe pse Shtëpia e Bardhë pranoi se për një mbyllje të plotë të agjencisë do të nevojitej një akt i Kongresit.

Ky veprim tashmë po përballet me sfida ligjore nga ata që duan të parandalojnë mbylljen e saj.

I rrethuar nga fëmijë në banka shkollore në Shtëpinë e Bardhë të enjten, Trump deklaroi se “SHBA-të shpenzojnë më shumë për arsimin se çdo vend tjetër”, por shtoi se nxënësit janë në fund të listës për nga rezultatet.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se administrata e tij do të reduktojë pjesë të departamentit që ende mbeten brenda kufijve ligjorë.

Urdhri ekzekutiv pritet të përballet me sfida ligjore, sikurse shumë përpjekje të tjera të administratës Trump për të zvogëluar përmasat e qeverisë federale.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Trump lavdëroi Lindën McMahon, të cilën e kishte emëruar në krye të departamentit, duke shprehur shpresën se ajo do të jetë ministrja e fundit e arsimit. Ai shtoi se do t’i gjejë “diçka tjetër” për të bërë brenda administratës.

Pas nënshkrimit të urdhrit, senatori republikan nga Luiziana, Bill Cassidy, njoftoi se do të paraqesë një projektligj për mbylljen e këtij departamenti.

Megjithatë, republikanët kanë një shumicë të ngushtë prej 53-47 në Senat, dhe për të mbyllur një agjenci federale nevojiten 60 vota, gjë që e bën këtë synim të vështirë për t’u arritur.

Por edhe nëse departamenti nuk mbyllet zyrtarisht, administrata e Trump mund ta dobësojë rëndë përmes shkurtimit të buxhetit dhe stafit – ashtu siç ndodhi me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila më pas ndërpreu shumë nga programet dhe ndihmat e saj humanitare.

Teksti i urdhrit ekzekutiv nuk përfshin masa konkrete se çfarë programesh do të mbyllen. Ai i kërkon McMahon të “marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të lehtësuar mbylljen” e departamentit dhe t’ua delegojë kompetencat autoriteteve shtetërore dhe lokale.

Ajo gjithashtu urdhërohet të sigurojë “dorëzimin efektiv dhe të pandërprerë të shërbimeve, programeve dhe përfitimeve nga të cilat varen qytetarët amerikanë”.

Departamenti i Arsimit u themelua në vitin 1979. Ai administron kreditë studentore dhe udhëheq programet që ndihmojnë studentët me të ardhura të ulëta.

Por Trump e ka akuzuar atë për indoktrinimin e të rinjve me përmbajtje racore, seksuale dhe politike.

Shumica e fëmijëve në SHBA ndjekin shkolla publike, që janë falas dhe menaxhohen nga zyrtarët lokalë. Një keqkuptim i zakonshëm është se Departamenti Federal i Arsimit menaxhon shkollat dhe përcakton planprogramet, por këto bëhen kryesisht nga shtetet dhe distriktet lokale.

Një përqindje relativisht e vogël e financimit për shkollat fillore dhe të mesme – rreth 13 për qind – vjen nga fondet federale. Pjesa më e madhe e buxhetit vjen nga taksat shtetërore dhe lokale.

Agjencia gjithashtu luan një rol kyç në administrimin dhe mbikëqyrjen e kredive federale studentore, të cilat përdoren nga miliona amerikanë për të paguar arsimin e lartë.

 

Kategoritë
BotaLajme