“Mendoj se do të ishte shumë mirë që këto (negociata) të zhvillohen në Vatikan. Ndoshta do të kishte një rëndësi më të madhe”, tha presidenti amerikan, Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të ishte një “ide e shkëlqyer” që bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës të mbahen në Vatikan, raporton Anadolu.
Trump iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë ku u takua me familjet e oficerëve të zbatimit të ligjit që humbën jetën gjatë detyrës.
I pyetur nëse gatishmëria e Vatikanit për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës do të thotë që SHBA-ja do të tërhiqen, Trump tha: “Jo, jo, mendoj se do të ishte shumë mirë që këto (negociata) të zhvillohen në Vatikan. Ndoshta do të kishte një rëndësi më të madhe”.
“Ka dhimbje të jashtëzakonshme, zemërim dhe mendoj se kjo mund ta lehtësojë disi zemërimin. Pra, ta bëjmë në Vatikan, mendoj se do të ishte një ide e shkëlqyer”, u shpreh Trump, duke theksuar se ndërmjetësimi i Vatikanit ishte në agjendë në bisedën telefonike dhe se mendon se kjo do të ndihmonte negociatat.
Ai pas bisedës telefonike që zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin, “shprehu besimin se do të ndodhë diçka”. “Bëhet fjalë për ego të mëdha të përfshira, por mendoj se diçka do të ndodhë. Dhe nëse jo, unë thjesht tërhiqem dhe ata do të duhet të shkojnë përsëri”, tha ai.
Trump përsëriti mendimin se Lufta Rusi-Ukrainë është edhe “çështje e Evropës”. “Por administrata e kaluar ndjeu shumë fort se ne duhej të përfshiheshim, dhe ne ishim shumë më të përfshirë sesa Evropa. Ne i dhamë një sasi rekord parash dhe armësh një vendi të huaj, sipas mendimit tim. Edhe Evropa dha, por as nuk iu afrua asaj që dhamë ne”, tha Trump.