Forcat e Korpusit të Marinsave të SHBA-së nga përbërja e njësisë ekspeditare të 22-të po zhvillojnë për disa ditë ushtrime zbarkimi në Porto Riko, gjë që shihet si një mesazh dhe kërcënim i Trumpit për pushtim ndaj presidentit venezuelian Nicolás Maduro.
Së bashku me disa anije luftarake të marinës amerikane të dislokuara në Detin e Karaibeve si masë parandaluese, në Porto Riko janë stacionuar edhe forcat e marinsave amerikanë.
Në Porto Riko, marinsat nga njësia ekspeditare e 22-të po kryejnë ushtrime të desantit detar, që përbën misionin e tyre themelor në operacionet luftarake.
“Terreni sfidues dhe klima tropikale e Porto Rikos ofrojnë një mjedis ideal për njësinë ekspeditare të 22-të të marinsave për të zhvilluar stërvitje realiste amfibike dhe për të përsosur aftësitë e specializuara,” thuhet në deklaratën e Korpusit të Marinsave.
Kjo njësi e marinsave vepron nga anija amfibike sulmuese USS Iwo Jima, së bashku me anijet e transportit amfibik USS San Antonio dhe USS Fort Lauderdale.
Si përgjigje ndaj pranisë ushtarake amerikane, Venezuela ka mobilizuar forca përgjatë bregdetit të saj. Presidenti Nicolás Maduro, për kapjen e të cilit SHBA ka ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh, tha se vendi është në “gatishmëri maksimale për mbrojtje” ndaj asaj që ai e quajti “kërcënim të përgjakshëm”.