Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, iu drejtua për herë të parë në mandatin e tij të ri Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me një fjalim tronditës, duke thënë se ndryshimet klimatike janë një mashtrim absolut dhe se nuk ekzistojnë.
Në fillim të fjalës tha se duhej të fliste pa teleprompter, pasi ai nuk punonte, dhe se do të fliste nga zemra, por se ai që menaxhonte teleprompterin “është në telashe të mëdha”.
“Kanë kaluar gjashtë vjet që iu drejtova botës si një botë e përparuar dhe paqësore në mandatin tim të parë. Që atëherë, topat kanë rrënuar botën që lashë të qetë”, tha Trump, duke fajësuar administratën e kaluar amerikane si të dobët e radikale, ndërsa theksoi se tani SHBA është “shteti më i mirë në botë dhe asnjë tjetër nuk i afrohet”.
“Ky është padyshim epoka e artë e Amerikës. Po e rregullojmë shpejt krizën ekonomike dhe inflacionin që la administrata e kaluar. Nën qeverisjen time çmimet e energjisë, karburantit, ushqimit dhe qirasë kanë rënë. Inflacioni është mposhtur. Tregu i aksioneve është në nivelin më të lartë ndonjëherë”, tha Trump.
Ai pretendoi se pagat e punëtorëve janë rritur më shumë se në 60 vitet e fundit, duke shtuar se në kohën e Bidenit kishte më pak se 1 trilion investime, ndërsa “në gjashtë muaj kemi siguruar premtime për 17 trilionë dollarë”.
Trump tha se ka parandaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm:
“Mesazhi është i thjeshtë – nëse përpiqeni të hyni ilegalisht, shkoni në burg, ktheheni aty prej nga keni ardhur, ose edhe më larg.”
Në skenën botërore, sipas tij, “Amerika respektohet si kurrë më parë”, duke përmendur rritjen e shpenzimeve të NATO-s dhe vizitat e tij në Lindjen e Mesme.
Ai tha se kishte përfunduar shtatë luftëra të quajtura “të pafundme”, përfshirë Kongo e Ruandën, Kosovën e Serbinë, Pakistanin e Indinë, Egjiptin e Etiopinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin, dhe kritikoi OKB-në që “as nuk kishte tentuar të ndihmonte”.
Trump kërkoi gjithashtu që Irani të mos lejohet të marrë armë bërthamore, duke pretenduar se SHBA ka shkatërruar objekte bërthamore iraniane në operacionin “Midnight Hammer”.
Për Gazën tha:
“Duhet të ndalim luftën, të negociojmë paqen dhe t’i kthejmë pengjet menjëherë. Nuk duam dy nga dy, por të gjithë menjëherë.”
Për Ukrainën tha se lufta nuk do të ndodhte po të ishte ai president, duke kritikuar Evropën për blerjen e naftës dhe gazit nga Rusia, gjë që sipas tij e financon luftën.
Ai mohoi ekzistencën e ndryshimeve klimatike:
“Nuk ka ngrohje globale, as ftohje. Gjithçka që thotë OKB është e gabuar. Është mashtrimi i gjelbër. Nëse nuk e ndalojmë, shtetet do të shkatërrohen.”
Trump sulmoi politikat e energjisë së rinovueshme, duke i quajtur “rrënim për Evropën dhe bujqësinë”.
Në fund, ai tha se kristianizmi është feja më e kërcënuar në botë dhe përfundoi me mesazhin se “shtetet do të jenë të mëdha vetëm nëse kanë kufij të fortë dhe përdorin energji tradicionale”.