“Bazuar në bisedimet shumë produktive me udhëheqësit e Lindjes së Mesme, kam vendosur ta zëvendësoj tarifën 20 për qind me marrëveshje tregtare dhe investimi që vendet e ndryshme të Gjirit do t’i bëjnë në SHBA”, shkroi Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka vendosur të zëvendësojë tarifën e rimbursimit prej 20 për qind për ngarkesat që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit me marrëveshje tregtare dhe investimi me vendet e Gjirit, transmeton Anadolu.
“Bazuar në bisedimet shumë produktive me udhëheqësit e Lindjes së Mesme, kam vendosur ta zëvendësoj tarifën 20 për qind të rimbursimit të SHBA-së me marrëveshje tregtare dhe investimi që vendet e ndryshme të Gjirit do t’i bëjnë në SHBA”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Këto investime do të jenë masive, por në të njëjtën kohë jashtëzakonisht të mira për ta dhe të ardhmen e tyre. Siç e dini të gjithë, ne kemi investimin më të madh në dollarë në SHBA nga çdo vend në histori, por këto investime të reja do ta bëjnë këtë shifër edhe më të madhe dhe do të shohim fabrika, impiante dhe pajisje që do të vërshojnë drejt SHBA-së në nivele historike, duke krijuar miliona vende të reja pune amerikane me paga të larta”, tha ai.
Trump pretendoi se “nafta po qarkullon si kurrë më parë”, duke shtuar se “ngushtica është e hapur për të gjithë trafikun detar, përveç Iranit dhe kjo për shkak të udhëheqjes së tij gënjeshtare, të dhunshme dhe keqdashëse, e cila po e çon vendin drejt shkatërrimit total”.
Ai tha se SHBA-ja do të vendosë “një bllokadë të plotë, por vetëm ndaj anijeve që vijnë nga ose shkojnë drejt porteve iraniane ose që transportojnë çdo gjë që lidhet me ngarkesat iraniane”. Ai shtoi se “ditët kur Irani vriste qindra mijëra njerëz, përfshirë 52.000 protestues, kanë mbaruar dhe më e rëndësishmja Irani kurrë nuk do të ketë armë bërthamore”.
Më herët, Trump njoftoi se SHBA-ja do të rikthejë një bllokadë ndaj Iranit dhe do të marrë përgjegjësinë për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se SHBA-ja do të bëhet “garantuesja” e ngushticës dhe do t’u vendosë anijeve tregtare një tarifë prej 20 për qind për ofrimin e sigurisë.
Një memorandum mirëkuptimi i arritur në qershor parashikonte përfundimin e luftimeve që nisën në shkurt në të gjitha frontet, heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe rihapjen e plotë të ngushticës.
Ushtria amerikane ka kryer sulme ndaj Iranit ditët e fundit, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur duke goditur objektiva amerikane në Gjirin Persik. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe kanë pretenduar kontrollin mbi këtë rrugë ujore strategjike.







