– Sulmet ndodhën mes shkeljeve të përditshme nga Izraeli të marrëveshjes së armëpushimit, e cila është në fuqi që nga 10 tetori i vitit 2025
Tre palestinezë, përfshirë një oficer sigurie dhe një vajzë, thanë burime mjekësore për Anadolu, janë vrarë nga sulmet izraelite dhe si pasojë e plagëve të marra më herët në Rripin e Gazës.
Burimet mjekësore thanë se një vajzë palestineze u vra dhe disa persona të tjerë u plagosën kur një dron izraelit goditi një tendë pranë Parkut të Bashkisë së Gazës, në pjesën qendrore të Qytetit Gaza.
Disa nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, shtuan burimet, pa dhënë një numër të saktë të viktimave.
Sulmet ndodhën mes shkeljeve të përditshme nga Izraeli të marrëveshjes së armëpushimit, e cila është në fuqi që nga 10 tetori i vitit 2025.
Më herët, një burim mjekësor në Spitalin e Kuvajtit, një institucion joqeveritar në Khan Younis në jug të Gazës, tha se një sulm izraelit vrau ofircerin e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme, Khaled Shalouf.
Burimi tha se 11 palestinezë të tjerë u plagosën nga bombardimi, katër prej tyre në gjendje kritike.
Dëshmitarët thanë për Anadolu se një sulm izraelit goditi personat e mbledhur jashtë portës së Kolegjit Universitar në Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younisit, ku ishin strehuar palestinezë të zhvendosur.
Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë Kombëtare e Gazës konfirmoi vdekjen e Shaloufit, duke bërë të ditur se ai mbante gradën e nëntogerit.
Ky ishte sulmi i dytë i raportuar izraelit ndaj policisë dhe personelit të sigurisë të lidhur me administratën e Gazës brenda tre ditësh.
Të dielën, gjashtë persona u vranë në një sulm izraelit në Khan Younis.
Po ashtu, sot, një burim mjekësor tha se Imad Omar Radi, 39 vjeç, vdiq nga plagët e marra dje gjatë bombardimit izraelit të lagjes japoneze në Khan Younis.
Ndërkohë, dëshmitarët thanë për Anadolu se automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr të dendur drejt tendave ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur në Al-Mawasi, mes Rafahut dhe Khan Younisit.
Sipas dëshmitarëve, zonat në lindje të Khan Younisit u goditën gjithashtu nga granatimet me artileri.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se shkeljet izraelite të armëpushimit kanë shkaktuar vdekjen e 1.599 palestinezëve dhe plagosjen e 5.774 të tjerëve.
Sipas shifrave të publikuara, sulmet izraelite që nga 8 tetori i vitit 2023 kanë vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe kanë plagosur mbi 174.000 të tjerë në Gaza.
Sulmet kanë shkaktuar gjithashtu shkatërrime të mëdha, duke dëmtuar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile.