Sipas një sondazhi të realizuar nga “The Washington Post” dhe “Ipsos”, vetëm 22 për qind kanë thënë se presidenti amerikan e meriton çmimin
Një sondazh i ri në SHBA ka treguar se tre nga katër amerikanë besojnë se presidenti Donald Trump nuk meriton të fitojë Çmimin Nobel për Paqe, transmeton Anadolu.
Sondazhi, i zhvilluar nga “The Washington Post” dhe “Ipsos” në gjithë vendin me 2.513 pjesëmarrës midis datave 11 dhe 15 shtator, ka pyetur pjesëmarrësit rreth nominimit të Trumpit për Çmimin Nobel për Paqe.
Sipas rezultateve, 76 për qind e amerikanëve kanë thënë se Trump nuk e meriton çmimin ndërsa 22 për qind kanë thënë se e meriton. Midis votuesve republikanë, 49 për qind kanë deklaruar se Trump e meriton ndërsa 49 për qind janë përgjigjur negativisht, duke treguar mungesë konsensusi brenda partisë së tij.
Rreth 60 për qind e të pyeturve nuk e kanë miratuar mënyrën se si Trump ka trajtuar luftën Rusi-Ukrainë ndërsa 58 për qind kanë shprehur mospëlqim për qasjen e tij ndaj sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Sondazhi gjithashtu zbuloi se 54 për qind e amerikanëve besojnë se ish-presidenti Barack Obama nuk e meritonte Çmimin Nobel për Paqe që mori në vitin 2009.
- Nominimet e Trumpit për Çmimin Nobel për Paqe
Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqe 2026 nga Pakistani, për “rolin diplomatik dhe udhëheqjen” gjatë krizës së tij më të fundit me Indinë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjithashtu e nominoi Trumpin, duke i dorëzuar personalisht letrën e nominimit.
Po ashtu, Kamboxhia e nominoi zyrtarisht Trumpin për kontributin e tij në marrëveshjen e armëpushimit që u dha fund përplasjeve kufitare me Tajlandën. Liderë të pesë vendeve afrikane – Gaboni, Guinea-Bissau, Liberia, Mauritania dhe Senegali, gjithashtu mbështetën nominimin e tij, duke përmendur kontributet e tij për paqen në botë.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, kanë njoftuar se po shqyrtojnë nominimin e Trumpit për rolin e tij në promovimin e paqes në rajonin e tyre.
I dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, gjithashtu ka thënë se beson se presidenti amerikan meriton Çmimin Nobel për Paqe, duke pretenduar se Trump ka ndalur shtatë luftra deri tani.