Në ndërtesën e OKB-së dje ndodhi një defekt në shkallët lëvizëse, pikërisht në momentin kur po i përdorte presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Radikalët e djathtë në rrjetet sociale tani po përhapin teorinë se bëhej fjalë për një dështim të qëllimshëm me synimin për të kryer atentat ndaj tij.
Shumë influencues të djathtë, të lidhur me lëvizjen MAGA (Make America Great Again) të Trumpit, shpërndanë teorinë e konspiracionit se plani kishte për qëllim atentatin ndaj tij.
Mike Cernovich, një influencues i djathtë dhe teoricien konspiracionesh, në rrjetin social X deklaroi se “i ashtuquajturi defekt në shkallët lëvizëse ishte një plan i qartë për atentatin e radhës ndaj Trumpit”. Atij iu bashkua edhe Roger Stone, aktivist i djathtë dhe lobist, i cili gjithashtu e lidhi këtë defekt me “tentativën për atentat ndaj Trumpit”.
Përveç akuzave për “tentativë atentati”, të djathtët kritikuan edhe Shërbimin Sekret, i cili është përgjegjës për sigurinë e presidentit amerikan.
Një numër i madh influencuesish të djathtë akuzuan agjentët e Shërbimit Sekret se nuk kanë vepruar në mënyrë adekuate, e madje disa kërkuan që mbrojtja e Trumpit t’i besohet një strukture tjetër sigurie.
Teoritë e konspiracionit u nxitën më tej edhe nga Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaroi se administrata e Trumpit kërkon një “hetim të gjerë mbi këtë incident”.
Megjithatë, shpjegimi i OKB-së në fund tregoi se defekti ndodhi për shkak të kameramanit të Trumpit, dhe se teoria e së djathtës nuk është e vërtetë.