Të paktën 300 fëmijë janë vrarë në Gaza gjatë 300 ditëve të fundit, njoftoi të enjten Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), që mesatarisht nënkupton një fëmijë të vrarë në ditë, ndërsa civilët në këtë territor vazhdojnë të përballen me sulme intensive ushtarake, përfshirë bombardime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme nga deti.
UNICEF-i shtoi se gjatë së njëjtës periudhë qindra fëmijë të tjerë janë plagosur.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se fëmijët në Gaza vazhdojnë të jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, përfshirë strehimore të mbipopulluara dhe qasje të kufizuar në ujë të pijshëm të sigurt dhe kujdes shëndetësor.
Në Bregun Perëndimor, sulmet e kolonëve izraelitë dhe operacionet ushtarake të ushtrisë izraelite vazhdojnë të godasin shtëpitë dhe burimet e të ardhurave të palestinezëve, paralajmëroi OCHA.
Sipas OCHA-s, kolonët izraelitë gjatë natës u vunë zjarrin shtëpive në komunitetin palestinez Tuba, në zonën Masafer Yatta pranë Hebronit, duke zhvendosur tri familje, përfshirë 14 fëmijë, të cilët u strehuan te të afërmit ose fqinjët.
Disa persona u plagosën, mes tyre edhe dy fëmijë, njoftoi OCHA. Gjithashtu u shkatërrua sistemi diellor për prodhimin e energjisë elektrike, 10 tonë ushqim për kafshët dhe prona të tjera.
Nga fillimi i vitit deri në fund të korrikut, OCHA ka regjistruar më shumë se 1.380 incidente të përfshirjes së kolonëve izraelitë, të cilat kanë rezultuar me viktima, dëme materiale ose të dyja. Kjo përfaqëson mesatarisht gjashtë deri në shtatë incidente në ditë në rreth 250 komunitete palestineze.
Gjatë së njëjtës periudhë, më shumë se 2.300 palestinezë janë zhvendosur për shkak të sulmeve të kolonëve dhe kufizimeve të lidhura me lëvizjen dhe qasjen, bëri të ditur OCHA, duke përsëritur se palestinezët në territoret e pushtuara duhet të mbrohen dhe përgjegjësit për sulmet të sillen para drejtësisë.
Ndërkohë, në Guvernatoratin e Jerusalemit, mijëra palestinezë në kampin e refugjatëve Qalandia edhe të enjten, për të dytën ditë me radhë, mbetën nën masa të rrepta mbylljeje pasi forcat izraelite nisën një operacion të gjerë ushtarak në zonë.
OCHA njoftoi se punonjësit humanitarë nuk kanë mundur të hyjnë në mënyrë të sigurt në kamp, gjë që ka ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve dhe mundësinë e tyre për të marrë ndihmë urgjente mjekësore, për të pasur qasje në shërbimet bazë dhe për të shkuar në vendet e tyre të punës.



















