Jurij Ushakov, këshilltari i Vladimir Putinit për politikën e jashtme, njoftoi se takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Putinit është planifikuar për të premten në orën 11:30 sipas orës lokale (21:30 sipas orës sonë). Pesë përfaqësues të tjerë rusë do të udhëtojnë në SHBA së bashku me Putinin.
“Takimi mes Trumpit dhe Putinit do të nisë në Anchorage të Alaskës në orën 11:30 me kohën lokale. Tema qendrore e takimit do të jetë zgjidhja e krizës në Ukrainë,” tha Ushakov.
Ai shtoi se përgatitjet për takimin janë në fazën përfundimtare dhe se programi është rënë dakord. Sipas tij, Trump dhe Putin fillimisht do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, e më pas një takim me delegacionet.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, ministri i Mbrojtjes Andrej Belousov, ministri i Financave Anton Siluanov, drejtori i Fondit për Investime të Drejtpërdrejta Kiril Dmitriev dhe vetë Ushakov do t’i bashkohen Putinit në vizitën në SHBA.
Pas bisedimeve, Putin dhe Trump do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Takimi do të zhvillohet në bazën e përbashkët Elmendorf–Richardson në Anchorage, Alaska.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se nisma për mbajtjen e këtij takimi gjatë vizitës së të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff në Moskë ka ardhur nga pala ruse.