Presidenti francez Emmanuel Macron ka pranuar dhunën e ushtruar nga forcat franceze në Kamerun gjatë dhe pas luftës së këtij vendi të Afrikës Qendrore për pavarësi.
Pranimi erdhi pas një raporti të përbashkët të historianëve kamerunas dhe francezë, të cilët hetuan shtypjen nga Franca të lëvizjes për pavarësi në periudhën 1945–1971.
Në një letër drejtuar presidentit të Kamerunit, Paul Biya, e publikuar të martën, Macron theksoi se raporti tregon qartë se në Kamerun “u zhvillua një luftë gjatë së cilës autoritetet koloniale dhe ushtria franceze ushtruan dhunë represive të formave të ndryshme në disa rajone të vendit”.
“Sot më takon mua të marr përsipër rolin dhe përgjegjësinë e Francës për këto ngjarje,” shkroi Macron.
Megjithatë, ai nuk ofroi një falje të qartë për krimet e kryera nga trupat franceze në ish-koloninë, e cila fitoi pavarësinë në vitin 1960. Macron përmendi emrat e katër figurave simbol të luftës për pavarësi të vrarë gjatë operacioneve ushtarake të drejtuara nga forcat franceze, përfshirë Ruben Um Nyobe, liderin karizmatik të partisë antikoloniale UPC.
Sipas raportit të cituar nga AFP, Franca vendosi qindra mijëra kamerunas në kampe internimi dhe mbështeti milici brutale për të shtypur luftën për liri. Historianët vlerësojnë se midis viteve 1956 dhe 1961 u vranë dhjetëra mijëra njerëz.
Vendimi për të kryer hetimin dhe për të publikuar gjetjet mbi rolin e Francës në luftën e Kamerunit për pavarësi u mor në vitin 2022, gjatë vizitës së Macron-it në Yaoundé, pas presionit nga vetë Kameruni që Franca të pranojë krimet e saj në ish-koloni dhe të paguajë dëmshpërblime.
Macron shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Kamerunin për të nxitur kërkime të mëtejshme mbi këtë temë dhe theksoi rëndësinë e ofrimit të qasjes në të dhënat për universitetet dhe institucionet shkencore të të dy vendeve.
Edhe pse Macron nuk përmendi kërkesat për reparacione, kjo pritet të jetë një nga çështjet kryesore në Kamerun në të ardhmen.
Nën udhëheqjen e Macron-it, Franca ka tentuar të përballet me të kaluarën e saj koloniale. Vitin e kaluar, për herë të parë u pranua se ushtarët francezë në vitin 1944 kishin kryer “masakër” në Senegal, duke vrarë ushtarë nga Afrika Perëndimore. Macron më herët ka pranuar edhe rolin e Francës në gjenocidin në Ruandë, ku u vranë rreth 800.000 tutsi dhe hutu të moderuar, duke kërkuar falje.
Në vitin 2021, ai pati pranuar se Franca kishte injoruar paralajmërimet për gjakderdhjen e afërt dhe për shumë kohë kishte “vlerësuar më shumë heshtjen sesa përballjen me të vërtetën”.








