Sveçla: Nuk jemi të interesuar për luftë, por për luftim të krimit dhe terrorizmit

Ministri kosovar tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që çështja e barrikadave të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka qasje agresore dhe me aspirate pushtuese sikurse Serbia, por ka synim paqen dhe stabilitetin, ndërsa Serbia destabilizimin dhe luftën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Sveçla në një reagim në rrjetet sociale, duke folur në kontekstin e aktualitetit në Kosovë pas vendosjes së barrikadave në rrugët publike në veriun e banuar me shumicë serbe, tha se Serbia e ndikuar nga Rusia ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake dhe po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale.

“Nuk jemi të interesuar për luftë, por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit. Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlen edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”, theksoi Sveçla.

Ministri kosovar tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që çështja e barrikadave të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm, por, ky fakt, sipas tij, po i pengon Serbisë, “e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të EULEX-it e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”.

Sveçla tha se Serbia me barrikadat si mjet po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ndërsa Kosova është e interesuar të luftojë krimin dhe bandat kriminale brenda shtetit të saj.

“Lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë. Serbia me në krye Vuçiçin, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë. Andaj, ne nuk do të ndalemi drejt mbrojtjes së këtyre vlerave demokratike dhe të qenit pranë të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese”, theksoi Sveçla.

Sot në territorin e Kosovës u vendosën edhe dy barrikada të reja në rrugë, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) që barrikadat të largohen nga rrugët. Policia e Kosovës njoftoi se barrikadat janë vendosur gjatë natës nga persona/grupe kriminale, njëra në Mitrovicë dhe tjetra në Zveçan.

Kategoritë
LajmeVendi