



Ngjarja ndodhi në rrethin Lamboy, ku një banor njoftoi policinë pasi kishte vërejtur një substancë të kuqërremtë në kapakun e makinës së tij, e cila ishte formuar në simbolin e svastikës. Hetuesit më pas zbuluan dhjetëra automjete, kuti postare dhe mure banesash të dëmtuara në të njëjtën mënyrë.
Deri tani, janë regjistruar afro 50 makina të mbuluara me simbolin e ndaluar nazist. Testet paraprake kanë treguar se substanca është me shumë gjasë gjak njerëzor, megjithatë origjina e tij ende nuk është përcaktuar. Policia theksoi se nuk ka shenja dëmtimesh trupore të lidhura me incidentin.
Autoritetet po hetojnë dëmtimin e pronës dhe përdorimin e simboleve të organizatave antikushtetuese, ndërkohë që kanë bërë thirrje për informacione nga qytetarët që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Policia gjermane e cilëson incidentin si “akt të pazakontë dhe të frikshëm”, ndërsa opinioni publik në Hanau kujton ende sulmin racist të vitit 2020, kur në këtë qytet u vranë nëntë persona me prejardhje migrante.