Sulmuesi izraelit hyri në lojë në transfertë kundër Sevillas, stadiumi kult “shpërtheu”: “Vrasës, vrasës”

Futbollisti izraelit Manor Solomon, i cili aktualisht është i huazuar nga Tottenham te Villarreal në Spanjë, u bë figura kryesore e ndeshjes në të cilën skuadra e tij fitoi kundër Sevillas (2:1), por jo vetëm për shkak të golit, por edhe për shkak të fyerjeve politike nga tribinat.

26-vjeçari përfaqësues izraelit hyri në lojë në minutën e 83-të në stadiumin legjendar Ramón Sánchez-Pizjuán, ku u prit me fishkëllima dhe fyerje nga një pjesë e tifozëve vendas.

Ndërsa po hynte në fushë, nga tribinat u dëgjuan thirrjet:

“Izraelitë, vrasës”.

Fyerjet vinin veçanërisht nga grupi ultras “Biris Norte”, i cili edhe para ndeshjes kishte publikuar një mesazh:
“Ky përkrahës i genocidit viziton shtëpinë tonë. Ne jemi të qartë për këtë çështje… Në Nervión nuk ka vend për sionistët”, kishin shkruar ata.

Megjithatë, kjo nuk e ndali Solomonin i cili shënoi golin e fitores për “Nëndetësen e Verdhë”, duke e çuar te fitorja e katërt e sezonit.

Ai edhe më herët është përballur me ngacmime serioze, sidomos pasi në tetor 2023 publikisht kishte mbështetur Izraelin pas sulmit të Hamasit. Që atëherë, përveç reagimeve negative nëpër stadiume, rregullisht merr kërcënime dhe fyerje në rrjetet sociale.

Gjatë ndeshjes mes Leeds dhe Stoke City në dhjetor 2024, u dëgjuan thirrje antisemitiste, për çka Leeds lëshoi një komunikatë dhe paralajmëroi sanksione ndaj përgjegjësve.

Në qershor 2025, Solomon përsëri ishte në shënjestër kur klubi publikoi urimin për martesën e tij me partneren Dana Voshin. Komentet plot urrejtje e mbuluan postimin, me fyerje ku lojtari quhej “gjenocidal”, “sionist” dhe “vrasës fëmijësh”.

Gjithashtu, gjatë kthimit të tij në Izrael për dasmën, Solomon mbeti i bllokuar në vend për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore gjatë konfliktit me Iranin, gjë që i solli edhe më shumë vëmendje publike situatës së tij.

Kategoritë
Sport