Sulmuesi i Interit udhëtoi 1.000 kilometra me makinë për t’i shpëtuar bombardimeve

Sulmuesi i ri i Interit, Mehdi Taremi (32), arriti të largohej nga kryeqyteti Teherani pas shpërthimit të luftës ndërmjet Iranit dhe Izraelit, raporton e përditshmja italiane La Gazzetta dello Sport.

Taremi, i cili ndodhej në Iran kur shpërtheu konflikti, udhëtoi me makinë mbi 1.000 kilometra për të arritur në qytetin e tij të lindjes, Bushehr, në jugperëndim të vendit, pranë Gjirit Persik. Ai informoi trajnerin Cristian Chivu se është i sigurt dhe në gjendje të mirë.

Për shkak të situatës së luftës, Taremi nuk mundi t’i bashkohej Interit në udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara për fazën përgatitore, por mbeti në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e klubit.

“Familja e tij e priti me padurim dhe gëzim në shtëpi pas një udhëtimi të rrezikshëm drejt jugut. Ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me menaxherin e ekipit, ka komunikuar me trajnerin Chivu dhe ka dërguar mesazhe në grupin WhatsApp të skuadrës për të qetësuar shokët e tij,” shkruan Gazzetta.

Aktualisht, Taremi po stërvitet individualisht për të ruajtur formën fizike në rast se i lejohet të largohet nga vendi dhe t’i bashkohet Interit në fazën eliminuese të Kampionatit Botëror të Klubeve.

Kategoritë
Sport