Sulmuar flotila për Gazën: Dëgjoheshin shpërthime nga disa anije, aktivistët panë disa dronë

Organizatorët e flotilës Global Sumud, e cila synon të thyejë bllokadën e paligjshme të Gazës, kanë njoftuar se pesë anije janë sulmuar.

Ata raportuan shpërthime dhe disa dronë që kishin shënjestruar disa nga anijet e tyre, të cilat aktualisht ndodhen pranë Greqisë.
“Shumë dronë, objekte të paidentifikuara janë hedhur, komunikimet janë penguar dhe shpërthime janë dëgjuar nga disa anije. Jemi dëshmitarë të këtyre operacioneve psikologjike, pikërisht tani, por nuk do të lejojmë të na trembin”, kanë thënë organizatorët.

Aktivistja gjermane për të drejtat e njeriut, Yasemin Acar, ka thënë në një video të publikuar në Instagram se pesë anije janë sulmuar.

Thyerja e bllokadës

A po përgatitet një krim i ri në det? Izraeli i ka kërcënuar flotilës Sumud se nuk do ta lejojë të arrijë në Gaza.

Acar shtoi se aktivistët panë 15 deri në 16 dronë dhe se lidhjet e tyre radio ishin penguar pasi dëgjohej muzikë e lartë.

Kujtojmë se të dielën organizatorët kishin njoftuar se kishin parë disa dronë të paidentifikuar që i ndiqnin. Më herët, dy anije ishin sulmuar.

Flotila me ndihma humanitare dhe aktivistë është nisur në fillim të shtatorit nga Barcelona drejt Rripit të Gazës me qëllim të thyerjes së bllokadës së gjatë izraelite ndaj këtij territori palestinez.

Kategoritë
BotaLajme