Droni ka shënjestruar një biçikletë pjesën jugore të Rripit të Gazës pavarësisht armëpushimit që është në fuqi nga tetori i vitit të kaluar
Një palestinez u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm izraelit me dron që shënjestroi një biçikletë elektrike në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, bëri të ditur një burim mjekësor.
Burimi tha për Anadolu se droni goditi biçikletën në lagjen Al-Amal, në perëndim të qytetit.
Sulmi ndodhi në një kohë kur vazhdojnë shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit në fuqi në Gaza që nga 10 tetori 2025. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më sot, këto shkelje kanë shkaktuar vdekjen e 1.260 palestinezëve dhe plagosjen e 4.154 të tjerëve.
Sulmi ndodhi gjithashtu pavarësisht raportimeve të fundit në mediat izraelite se sulmet ajrore në Gaza janë kufizuar dhe se operacionet e vrasjeve të shënjestruara kërkojnë miratimin e shefit të Shtabit të Ushtrisë, Eyal Zamir, mes presionit për avancimin e fazës së ardhshme të planit të armëpushimit të presidentit amerikan Donald Trump.
Megjithatë, sulmet izraelite kanë vazhduar. Të mërkurën, ushtria izraelite kreu një sulm me dron në Beit Lahia, në veri të Gazës, duke plagosur katër palestinezë, sipas burimeve mjekësore.
Marrëveshja e armëpushimit u arrit për t’i dhënë fund gjenocidit të Izraelit në Gaza, i cili filloi më 8 tetor 2023 dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 73.000 palestinezëve dhe plagosjen e më shumë se 174.000 të tjerëve, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve palestineze.
Lufta ka shkaktuar gjithashtu shkatërrime të mëdha në gjithë Rripin e Gazës, duke dëmtuar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile, ndërsa OKB-ja vlerëson se kostoja e rindërtimit arrin në rreth 70 miliardë dollarë.


















