Autoritetet thanë se dezertorët u dorëzuan me një forcë të përbërë nga 21 komandantë, 270 pjesëtarë dhe 37 automjete luftarake, përpara se të deklaronin besnikërinë ndaj Forcave të Armatosura Sudaneze.
Autoritetet sudaneze thanë të enjten se 21 komandantë dhe 270 luftëtarë të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grup paramilitar, kanë dezertuar dhe i janë bashkuar ushtrisë sudaneze, mes konfliktit në vazhdim ndërmjet dy palëve, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, autoritetet e lokalitetit Al-Dabbah në Shtetin Verior thanë se grupet 55 dhe 47 të RSF-së u dorëzuan me një forcë të përbërë nga 21 komandantë, 270 pjesëtarë dhe 37 automjete luftarake, përpara se të deklaronin besnikërinë ndaj Forcave të Armatosura Sudaneze.
Në deklaratë citohej komandanti i Forcave të Rojës Kufitare, koloneli Mohammed Saleh Younis, i cili ka mirëpritur dezertorët, duke thënë se vendimi i tyre për t’iu bashkuar ushtrisë përbën një hap drejt qëndrimit në krah të vendit.
Younis u bëri gjithashtu thirrje pjesëtarëve të mbetur të RSF-së të dorëzojnë armët dhe t’u bashkohen forcave të armatosura.
RSF-ja nuk ka dhënë menjëherë koment për këtë zhvillim.
Njoftimi erdhi një ditë pasi Hamad Mohammed Hamid Khalifa, guvernatori i rajonit Kordofan i emëruar nga RSF-ja, njoftoi dorëheqjen dhe dezertimin e tij nga grupi paramilitar, sipas mediave lokale dhe rajonale.
Gjatë javëve të fundit, RSF-ja është përballur me një sërë dezertimesh të figurave ushtarake dhe politike, përfshirë këshilltarin politik Fares al-Nour, gjeneralmajorin Al-Nour Ahmed Adam, i njohur si “Al-Nour al-Qubba”, dhe komandantin në terren Ali Rizqallah, i njohur si “Al-Safana”.
Tre shtetet e Kordofanit, së bashku me rajonet Darfur dhe Nili Blu, kanë qenë muajt e fundit skenë e luftimeve të vazhdueshme ndërmjet ushtrisë sudaneze dhe RSF-së.
Sudani është përfshirë nga konflikti që nga prilli i vitit 2023, kur shpërthyen luftimet ndërmjet ushtrisë sudaneze dhe RSF-së për planin e integrimit të forcës paramilitare në ushtrinë e rregullt. Lufta ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ka zhvendosur rreth 13 milionë persona dhe ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë.


















