Një student 20-vjeçar nga Sri Lanka, i identifikuar si Febrio De-Zoysa, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gjashtë personave në Ottawa, përfshirë një nënë dhe katër fëmijët e saj të vegjël, në mars të vitit 2024.
De-Zoysa jetonte në shtëpinë e familjes Wickramasinghe, e cila e kishte pranuar si qiraxhi dhe mik, kur ndodhi masakra që tronditi Kanadanë. Viktimat ishin 35-vjeçarja Darshani Ekanayake dhe fëmijët e saj – Inuka (7), Ashwini (4), Ranaya (3) dhe Kelly (2 muajsh) – si dhe një mik familjar, Gamini Amarakoon (40). Babai, Dhanushka Wickramasinghe, mbijetoi me plagë të rënda.
Gjatë shpalljes së dënimit, gjykatësi Kevin Phillips e cilësoi krimin si “monstruoz dhe makth të vërtetë”, duke i thënë të pandehurit:
“Ju jeni material i makthit. Keni shkaktuar humbje dhe dhimbje të paimagjinueshme.”
De-Zoysa nuk do të ketë të drejtë kërkese për lirim me kusht për 25 vjet.
Në seancë, studenti pranoi fajin dhe kërkoi falje, duke thënë:
“Pjesën tjetër të jetës do ta kaloj duke pranuar të vërtetën për atë që kam bërë.”
Avokati mbrojtës, Ewan Lyttle, deklaroi se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor në kohën e ngjarjes dhe se veprimet e tij ishin “të paimagjinueshme”.
Hetimet treguan se De-Zoysa kishte blerë një thikë gjuetie 38 cm disa javë para ngjarjes, fillimisht me synimin për t’u vetëvrarë. Më 6 mars 2024, ai vrau fillimisht Amarakoonin, të cilin e kishte ftuar në bodrum për të parë një film, e më pas sulmoi nënën dhe fëmijët. Kur babai u kthye në shtëpi, ai e sulmoi, por ky arriti ta neutralizojë dhe të thërrasë policinë.
Kur oficerët mbërritën, De-Zoysa po qëndronte i qetë në shkallët e shtëpisë dhe, sipas dëshmisë së policisë, tha:
“Do të deportohem. Nuk kisha zgjidhje tjetër. I vrava të gjithë.”
Të gjitha viktimat, përveç foshnjës së lindur në Kanada, ishin emigrantë nga Sri Lanka që kishin ardhur në Ottawa me shpresën për një jetë më të mirë.
Në seancë, e veja e Amarakoonit, Dishani Asangika Fernando, foli nga Sri Lanka përmes videolidhjes:
“Ai dha gjithçka – kohën, energjinë dhe ëndrrat e tij. Vajza jonë e vogël ende e kërkon çdo ditë.”
Babai i mbijetuar, Wickramasinghe, tha se tragjedia ka “shkatërruar gjithë botën time” dhe shtoi:
“E solla familjen time këtu për një jetë më të mirë. Ju lutem, mos e shkatërroni paqen dhe qetësinë e këtij vendi – ta mbrojmë dhe ta respektojmë.”












