Aktori amerikan Steven Seagal mori pjesë në paradën ushtarake “Fuqia e unitetit” të organizuar para Pallatit të Serbisë në Beograd, me rastin e Ditës së unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar.
Seagal u pa gjithashtu me kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq. Në paradë mori pjesë udhëheqja shtetërore me në krye Aleksandar Vuçiq, si dhe mysafirë nga jashtë vendit.
U njoftua se në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 10.000 persona dhe se do të shfaqen 2.500 mjete armatimi dhe pajisje ushtarake, mbi 600 automjete, 70 avionë dhe 20 mjete lundruese.
Parada filloi me intonimin e himnit dhe një breshëri artilerie nderi nga Garda e Ushtrisë së Serbisë me gjashtë armë dhe dhjetë salva, si dhe me shpalosjen e flamurit të Serbisë të gjatë 300 metra dhe të rëndë 300 kilogramë.
Seagal mbërriti në Serbi në fillim të këtij muaji dhe u takua me Vuçiqin, i cili tha se biseduan, ndër të tjera, për projekte të mundshme të përbashkëta në kinematografi, partneritete mediatike dhe promovimin e investimeve në industrinë e kulturës.
Seagal me bendin e tij kishte performuar në pritjen e Vitit të Ri 2016 para Kuvendit Kombëtar në Serbi. Pas kësaj, Vuçiq i dha atij shtetësinë serbe. Këto ditë aktori në Serbi po xhiron filmin Order Of The Drago të regjisorit Vjekoslav Katušina.