Stadiumi kult i Fenerbahçes ndryshoi emrin: Şükrü Saraçoğlu tani quhet Chobani

Fenerbahçe ka nënshkruar një marrëveshje të re sponsorizimi me fitim të lartë, pas së cilës stadiumi legjendar Şükrü Saraçoğlu ka marrë emrin e ri – Stadiumi Çobani.

Giganti turk firmosi me fabrikën e famshme amerikane të prodhimit të kosit, Chobani, dhe kështu stadiumi i Fenerbahçes quhet tani Stadiumi Çobani.

Stadiumi i parë ku luajti Fenerbahçe quhej Papazın Çayırı, dhe në vitin 1908 emri u ndryshua në Union Club Field. Në vitin 1915 u quajt Ittihat Spor Field, ndërsa që nga viti 1929 njihej thjesht si Stadiumi i Fenerbahçes (Fenerbahçe Stadyumu).

Drejtuesit e klubit vendosën në vitin 1998 ta emëronin stadiumin në nder të Şükrü Saraçoğlutit, presidentit legjendar të klubit (1934–1950) dhe kryeministrit të pestë të Turqisë.

Kompania e njohur turke Ülker firmosi në vitin 2015 një marrëveshje sponsorizimi me Fenerbahçen vlerë 90 milionë dollarë, dhe stadiumi u quajt Ülker Stadiumi Şükrü Saraçoğlu deri më sot.

Pas përfundimit të asaj marrëveshjeje, Chobani pa mundësinë dhe firmosi me Fenerbahçen një kontratë 5+5 vjeçare, ku çdo vit do të paguajë 10 milionë euro për të mbajtur emrin Stadiumi Çobani.

Gjithashtu, Fenerbahçe do të mbajë në fanellat e ndeshjeve evropiane sponsorizimin “Chobani” për pesë vitet e ardhshme.

Kapaciteti aktual i Stadiumit Çobani të Fenerbahçes është 47,430 vende ulëse, dhe në prill të vitit të ardhshëm do të fillojë zgjerimi për të arritur mbi 60,000 vende.

Kategoritë
Sport