Spanja sërish bën një hap përpara: Sánchez kërkon ndalimin e pjesëmarrjes së Izraelit në të gjitha garat

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka bërë thirrje që Izraelit t’i ndalohet pjesëmarrja në garat sportive ndërkombëtare, përderisa vazhdon barbaria e tij në Gaza, duke thënë se këtij shteti nuk duhet t’i lejohet të shfrytëzojë ngjarjet e profilit të lartë për të “fshehur” ofensivën e tij.

Duke folur një ditë pasi protestuesit pro-palestinezë detyruan përfundimin e parakohshëm të garës së çiklizmit Vuelta a España, mes skenave kaotike dhe përplasjes me policinë, Sánchez tha se ndjen “admirim të thellë” për të gjithë ata që protestuan paqësisht kundër pjesëmarrjes së ekipit Israel-Premier Tech.

Kryeministri, i cili u kritikua ashpër nga kundërshtarët sepse lavdëroi protestuesit disa orë përpara se gara të ndërpritej, tha se shpreson që ngjarjet e së dielës në Madrid t’i shtyjnë të tjerët të rishqyrtojnë nëse Izraeli duhet të përfshihet në ngjarje të mëdha sportive.

“Mendoj se debati që filloi pas asaj që ndodhi dje këtu në Madrid duhet të zgjerohet dhe të shtrihet në të gjitha skajet e botës. Kjo tashmë po ndodh në disa pjesë të botës dhe pamë qeveri evropiane duke thënë se për sa kohë që barbaria vazhdon, Izraeli nuk mund të përdorë asnjë platformë ndërkombëtare për të fshehur praninë e tij. Dhe mendoj se organizatat sportive duhet të pyesin veten nëse është etike që Izraeli të vazhdojë të marrë pjesë në garat ndërkombëtare”, tha Sánchez.

Sánchez ka vënë disa herë në pikëpyetje “standardet e dyfishta” të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me Ukrainën dhe Gazën dhe në maj tha se Izraeli duhet të përjashtohet nga Festivali i Këngës së Eurovizionit – një thirrje që së fundmi e përsëriti edhe ministri spanjoll i kulturës.

Kryeministri tha se, megjithëse qeveria e tij ka refuzuar dhe gjithmonë do të refuzojë dhunën, ai ka “admirim dhe respekt të thellë” si për çiklistët e Vueltës, ashtu edhe për “shoqërinë spanjolle që mobilizohet kundër padrejtësisë dhe mbron idetë e saj në mënyrë paqësore”.

Edhe pse Israel-Premier Tech është një ekip privat dhe jo shtetëror, prania e tij në garën e çiklizmit ka shkaktuar një sërë protestash. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e lavdëroi ekipin që “nuk iu nënshtrua urrejtjes dhe frikësimit”, duke shtuar se kjo e bëri Izraelin krenar.

Protestat kulmuan me një tubim prej 100.000 protestuesish në mitingun e së dielës. Sipas qeverisë spanjolle, 22 policë u plagosën në përplasjet me protestuesit dhe dy persona u arrestuan.

Një sondazh i publikuar në korrik sugjeron se shumica e spanjollëve mbështesin qëndrimin e qeverisë. Studimi, i kryer nga instituti i mendimit Elcano Royal Institute, tregoi se 82% e të anketuarve besojnë se Izraeli po kryen gjenocid dhe 70% mendojnë se BE-ja duhet t’i vendosë sanksione Izraelit.

 

Kategoritë
BotaLajme