Spanja po shqyrton bojkotimin e Botërorit 2026 nëse në të merr pjesë Izraeli

Tensionet politike rreth pjesëmarrjes së Izraelit në garat sportive ndërkombëtare janë zgjeruar edhe te Kampionati Botëror i Futbollit 2026.

Zëdhënësi i Partisë Socialiste në Kongresin spanjoll, Patxi López, deklaroi se Spanja mund të shqyrtojë tërheqjen nga Botërori nëse Izraeli kualifikohet në fazën finale të garës.

“Ky është procesi në të cilin ndodhemi tani, do ta shqyrtojmë më vonë,” tha López, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Spanja mund ta bojkotojë kampionatin.

Deklarata vjen në kohën kur në Spanjë po rritet presioni politik që, duke marrë shembull përjashtimin e Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, organizatat sportive ndërkombëtare të vendosin të përjashtojnë Izraelin për shkak të gjenocidit në Gaza.

López i bëri thirrje institucioneve përkatëse sportive që të reagojnë dhe të ndërmarrin masa konkrete, duke thënë se qeveria “në kohën e duhur” do të shqyrtojë të gjitha hapat e mundshëm, përfshirë edhe mos pjesëmarrjen e përfaqësueses së Spanjës në Botërorin 2026.

Izraeli aktualisht garon në kualifikimet evropiane për Kampionatin Botëror 2026, në grup me Italinë, Norvegjinë, Estoninë dhe Moldavinë. Pas pesë xhirove, ndodhet në vendin e tretë me nëntë pikë, gjë që e mban jashtë kualifikimit direkt, por ende në garë për play-off.

Në ndeshjen e fundit, Izraeli i rezistoi fort Italisë, duke humbur 5:4 në minutat e fundit. Takimi vendimtar për të dy ekipet do të luhet më 14 tetor në Udine – një duel që mund të përcaktojë jo vetëm rezultatin sportiv, por edhe situatën politike në lidhje me bojkotin e mundshëm.

Është e rëndësishme të theksohet se qeveria spanjolle, përmes Këshillit të Lartë për Sport (CSD), sipas ligjit të vitit 1980, ka një nivel të caktuar kontrolli dhe miratimi mbi organizimin dhe pjesëmarrjen në evenimente shumë-sportëshe.

Edhe pse vendimi i drejtpërdrejtë për bojkot i takon Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), presioni i mundshëm nga strukturat shtetërore mund të ketë ndikim në qëndrimin përfundimtar të Spanjës.

Për momentin, nga Federata Spanjolle e Futbollit nuk ka pasur komente zyrtare mbi këtë çështje.

 

Kategoritë
Sport