Sllovenia: Miratohet ligji që ndalon mjekët e spitaleve shtetërore të punojnë në institucione private

Asambleja e Sllovenisë ka miratuar ndryshimet në Ligjin për shërbimet shëndetësore, të cilat ndalojnë mjekët e punësuar në institucionet shtetërore shëndetësore të punojnë edhe në sektorin privat.

Ministrja e Shëndetësisë, Valentina Prevolnik Rupel, theksoi se praktika e dyfishtë do të jetë e mundur vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Ndryshimet në ligj synojnë të inkurajojnë mjekët që të punojnë jashtë orarit të rregullt për organizatat publike ku janë të punësuar, por jo më si sipërmarrës të pavarur.

Ndryshimet e Ligjit për shërbimet shëndetësore u miratuan në leximin e parë.

Deputetët e shumicës qeverisëse deklaruan se këto ndryshime sjellin një ndarje të nevojshme midis shëndetësisë publike dhe asaj private, duke e konsideruar këtë një hap kyç në reformën shëndetësore që është në proces.

“Gënjeshtra më e madhe që dëgjojmë dhe lexojmë është se ky ligj nuk sjell asgjë për pacientët dhe nuk i vendos ata në qendër të vëmendjes,” tha Tamara Kozlovič nga Lëvizja e Lirisë, parti në pushtet.

Organizatat e mjekëve kundërshtuan ndryshimet në ligj, ndërsa Koordinatori i organizatave mjekësore njoftoi së fundmi se do të ngrejë një padi në Gjykatën Kushtetuese.

Kategoritë
LajmeRajoni