Në New York u mbajt samiti vjetor Concordia, dhe një panel tërhoqi veçanërisht vëmendjen pasi në të morën pjesë presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, dhe ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus.
Ky panel ishte interesant për shkak të faktit se Petraeus kishte qenë gjeneral amerikan që komandonte ushtrinë e SHBA-së në Irak, në kohën kur al-Sharaa gjendej në anën tjetër.
Al-Sharaa në atë kohë ishte kapur në fushëbetejë dhe kishte kaluar disa vite në robëri amerikane.
Më shumë se 14 vite pasi trupat e tij e kishin liruar, Petraeus e priti al-Sharaan në një panel në New York dhe madje e lavdëroi.
Ndër të tjera, ish-drejtori i CIA-s e quajti veten “një nga mbështetësit më të mëdhenj të Al-Sharaas”, ndërsa presidenti sirian foli për të ardhmen e vendit pas përfundimit të luftës civile 14-vjeçare.
“Është mirë që kemi kaluar nga lufta në dialog. Dikush që ka kaluar luftën e di çfarë do të thotë paqe,” tha Al-Sharaa.
Ai foli gjithashtu për marrëdhëniet me Izraelin, duke thënë se Siria është në “bisedime serioze për sigurinë” me këtë vend, por se çdo marrëveshje nuk do të jetë pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit për shkak të “zemërimit ndaj Izraelit në botën arabe.”