Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur me forcë nga qyteti i Gazës ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën e tij gjenocidale, e cila është dënuar nga shumica e botës. Fotot e bëra në rrugët që të çojnë drejt jugut të Gazës tregojnë dëshpërimin e palestinezëve dhe vuajtjet e shkaktuara nga Izraeli dhe aleatët e tij.
Ndërkohë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite njoftoi një rrugë “të përkohshme” për palestinezët që të largohen nga qyteti i rrethuar i Gazës përmes rrugës Salah al-Din, vetëm për 48 orë.
Në një postim në X, Avichay Adraee tha se banorëve do t’u lejohet të lëvizin përmes rrugës Salah al-Din dhe të vazhdojnë udhëtimin drejt jugut nga Wadi Gaza.
“Kalimi në këtë rrugë do të jetë i mundur për 48 orë duke filluar nga sot… e deri të premten,” tha ai.
Izraeli ka sulmuar vazhdimisht zona të banuara, shkolla dhe spitale në Rripin e Gazës gjatë 23 muajve të luftës gjenocidale. Burime nga spitalet në Gaza i thanë Al Jazeera-s se të paktën 12 persona u vranë gjatë mëngjesit në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë 7 në qytetin e Gazës.
Një fëmijë dhe nëna e tij ishin mes viktimave në një sulm mbi një apartament banimi në rrugën Eidya në kampin e refugjatëve Shati, në perëndim të qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite gjithashtu shkatërroi të paktën 17 ndërtesa banimi në qytetin e Gazës, teksa po intensifikon sulmin për të marrë dhe okupuar qendrën kryesore urbane të territorit palestinez.
Prej javësh ushtria ka mbajtur këtë ritëm shkatërrimi, duke lënë mijëra njerëz pa shtëpi dhe të detyruar të ikin drejt jugut.
Në gjenocidin në Gaza deri më tani janë vrarë 64.964 persona, prej të cilëve të paktën 428 kanë vdekur nga uria – mes tyre 146 fëmijë.