Situatë alarmante në Itali, disa qytete të përmbytura nga uji

Përmbytje të rënda kanë goditur qytete italiane, siç është Como, duke lënë nën ujë shumë rrugë dhe sheshe.

Zjarrfikësit kanë përdorur kamionë dhe helikopterë për t’u ardhur në ndihmë banorëve, pasi rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar rrugët, ndërsa shumë prej tyre janë shpëtuar me helikopter nga shtëpitë e tyre.

Reshjet e dendura kanë përmbytur edhe sheshin qendror, ndërsa shumë automjete kanë mbetur nën ujë. Përmbytjet dhe kaosi i krijuar kanë sjellë qindra thirrje për ndihmë në zjarrfikës.

Në disa zona është bërë evakuimi i disa shkollave. Situata e ngjashme është regjistruar edhe në Milano pas motit të keq që shkaktoi përmbytje.

Brigada e zjarrfikësve në Lombardi ka kryer mbi 650 operacione emergjente shpëtimi teknik për shkak të motit të keq. Për të përballuar situatën, janë dërguar 100 njësi zjarrfikëse në mbështetje të komandave rajonale.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale shihen rrugë tërësisht të përmbytura dhe makina të bllokuara në vërshimet e ujit që merrnin gjithçka para, ndërsa qytetarët përpiqeshin të çanin përmes ujit.

Është lëshuar paralajmërim për motin edhe për ditët në vijim, konkretisht për rrezikun nga përmbytjet dhe stuhitë e forta me vetëtima.

Kategoritë
BotaLajme