Si po përhapet “nacionalizmi i krishterë” në SHBA: Shefi i Pentagonit i mahnitur nga pastori që mbron skllavërinë

Ministri amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, ka ndarë në rrjetet sociale një reportazh të CNN-it ku disa pastorë pretendojnë se gratë nuk duhet të kenë të drejtë vote. Sipas ekspertëve, lidhja e tij e ngushtë me një prej tyre – pastorin Doug Wilson – mund të çojë në legjitimimin e ekstremizmit fetar brenda strukturave shtetërore. Wilson është një predikues autokratik, i njohur për justifikimin e skllavërisë, kufizimin e të drejtave të grave dhe mbrojtjen e abuzuesve seksualë.

Në reportazhin e CNN-it, Wilson shprehet: “Gratë janë një lloj qenieje njerëzore nga e cila lindin të tjerët. Për riprodhim biologjik nuk nevojitet asnjë talent.” Hegseth e shpërndau videon në X me përshkrimin “All of Christ for All of Life” – një slogan që synon nënshtrimin e të gjithë jetës ndaj Krishtit, përfshirë familjen, politikën, arsimin dhe ligjin.

Hegseth është anëtar i rrjetit të kishave të Komunitetit të Reformuar Ungjillor (CREC) dhe publikisht mbron qëndrimet e tij nacionaliste të krishtera dhe patriarkale. Në reportazh, pastorët e kësaj kishe shprehin hapur se gratë nuk duhet të mbajnë role drejtuese në kishë, dhe disa madje thonë se vota duhet të jepet vetëm nga kryefamiljari.

Pastorja prezbiteriane amerikane, Jennifer Butler, e kundërshtoi këtë interpretim duke theksuar se Bibla nuk e ndalon udhëheqjen nga gratë dhe se ato gjithmonë kanë pasur role të rëndësishme. Butler dhe të tjerë shprehin shqetësim për ndikimin në rritje të Wilson-it, i cili ka qindra kisha në SHBA dhe kërkon të marrë kontrollin mbi qarqe dhe qytete, duke pasur qasje edhe në administratë.

Mësimi i Wilson-it përjashton në mënyrë sistematike gratë, personat LGBTQ+, jobesimtarët dhe pakicat nga pjesëmarrja e barabartë në shoqëri. Ai mbron një model patriarkal ku gratë nuk kanë të drejtë vote dhe ku homoseksualiteti duhet të kriminalizohet. Eksperti Andrew Whitehead paralajmëron se fakti që ministri i mbrojtjes ndan publikisht mesazhe që vënë në pikëpyetje të drejtën e grave për të votuar, rolin e tyre në ushtri apo që minimizojnë skllavërinë, legjitimon ekstremizmin fetar në nivelet më të larta të pushtetit.

Lidhjet e ngushta mes Hegseth dhe Wilson
Edhe pse janë njohur personalisht vetëm kohët e fundit, Hegseth është sot një nga mbështetësit më të zëshëm të lëvizjes së Wilson-it në qarqet qeveritare. Ai është anëtar i kishës së tij dhe është zhvendosur në Tennessee për t’i dërguar fëmijët në shkollën që drejton kjo komunitet fetar. Wilson e përshkruan atë si një njeri që “jeton ashtu siç duhet të jetojë një i krishterë”.

Hegseth, i emëruar nga presidenti Donald Trump, ka qenë i përfshirë në një skandal ku pagoi 50.000 dollarë për të zgjidhur një akuzë për ngacmim seksual nga viti 2017, e cila doli në publik gjatë procesit të konfirmimit në Senat. Ai është përballur edhe me akuza për dhunë në familje, të cilat i mohon.

Nga ana tjetër, Wilson është kritikuar për deklaratat mbi skllavërinë dhe për fshehjen e dyshuar të rasteve të abuzimit seksual në kishën e tij. Ai ka qenë gjithashtu i akuzuar për plagjiaturë, duke u detyruar të tërheqë një nga librat e tij nga shitja.

Ndikimi në rritje i Wilson-it brenda strukturave federale po shihet si një formë e re e ndërthurjes së ekstremizmit fetar me pushtetin politik. Sipas CNN-it, Hegseth dhe Wilson e shohin Trump-in si një “top shkatërrues” që duhet të hapë rrugën për “ringjalljen e krishterë të Amerikës”.

Kategoritë
BotaLajme