Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit në Prishtinë, shprehu qëndrimet e SHBA-së për çdo zhvillim së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë. Ai gëzoi me deklaratën se amerikanët garantojnë sigurinë e Kosovës dhe hidhëroi me pjesën për Asociacionin. SHBA-ja, tha ai, do të punojë për themelimin e tij.
“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”. Kjo është një pjesë e deklaratës së emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, që u shpërnda më së shumti mbrëmë në Kosovë – edhe nga pushtetarët. Këtu, diplomati amerikan po fliste rreth kërkesës së Serbisë që të kthejë 1000 ushtarë të saj në Kosovë.
Por, ato që i tha Escobar gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë nuk ishin krejt të këndshme për veshin e Qeverisë. Sidomos pjesa ku ai foli për Asociacionin, e për të ishte po aq i prerë, sa për kundërshtimin e kërkesës së Serbisë.
SHBA punon për Asociacionin
Escobar thotë se serbët lokalë i kanë disa shqetësime legjitime dhe se SHBA-ja do që ta ndihmojë Qeverinë për ta forcuar pozicionin e saj. Megjithatë gjithçka tjetër ka pak rëndësi për amerikanët, pas themelimit të asociacionin të komunave me shumicë serbe.
“Gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha diplomati amerikan.
Kryeministri Albin Kurti, partia e tij, publikisht nuk e kanë ndryshuar qëndrimin rreth formimit të Asociacionit. Pra, e kundërshtojnë themelimin e tij. Escobar thotë se ky është një obligim nga i cili nuk mund të largohet një politikan i vetëm në një parti të vetme.
“Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, tha ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.
Derisa Kurti është në kërkim të diskutimeve për marrëveshjen e përgjithshme, Escobar thotë se Asociacioni duhet të jetë temë në diskutimin e radhës.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë”.
“Absolutisht që jo”, thotë Escobar kur pyetet nëse Asociacioni do t’i ngjante strukturës së Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran”.
Serbët lokalë kanë shqetësime legjitime
Escobar gjatë intervistës së tij në REL i referohet serbëve lokalë të Kosovës e shumë pak Serbië. Qytetarët serbë të komunave të veriut, të udhëhequr nga Lista Serbe, gjatë nëntorit kanë lënë detyrat e tyre në institucionet publike të Kosovës. Në shumë sektorë, si në polici e në sistemin e drejtësisë është thënë se ata që u larguan, nuk do të mund t’i rimarrin pozitat e tyre të punës.
Escobar i kërkon Qeverisë që të lejojë t’i rimarrin detyrat serbët e veriut, ndonëse ata akoma s’kanë kërkuar diçka të tillë.
“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim”.
Nga Zyra e Kryeministrit kishin thënë se ka një afat të caktuar për heqjen e barrikadave që bllokojnë rrugët në veri të vendit. Dhe, nëse ato s’largohen, atëherë intervenon Policia e Kosovës, e cila tash po e pret KFOR-in të shohë se çfarë po bëjë me largimin e barrikadave. Escobar thotë se ato “duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë”.
Diplomati amerikan përmend disa herë ankesat e serbëve lokalë dhe mosbesimin që ata, sipas tij, kanë ndaj Qeverisë së Kosovës.
“…më duhet të them se ka ende elemente të mungesës së besimit mes atij komuniteti dhe qeverisë qendrore. Dhe, çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të bëjmë, duhet të ketë besim mes komuniteteve, përpara se të kemi një zgjidhje të suksesshme”.
Kur u pyet për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake të Serbisë në Kosovë, Escboar tha se nuk e pret këtë, por ritheksoi se sigurinë e Kosovës e garanton SHBA-ja.
“Para së gjithash, nuk e pres këtë [inkursionin ushtarak të Serbisë]. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”, tha diplomati amerikan.
Plani franko-gjerman dhe njohja në qendër?
Në vizitën e fundit në Prishtinë, Gabriel Escobar, kishte folur i pari prej diplomatëve haptas dhe qartas rreth planit franko-gjerman, që deri atëherë s’po i konfiromohej ekiztenca.
Pak muaj pas, amerikanët qëndrojnë akoma prapa këtij propozimi, që thuhet se nuk flet direkt për njohje të ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.
Krerët shtetërorë të Kosovës, të cilët e kanë pranuar si “bazë të mirë” propozimin e ashtuquajtur franko-gjerman, duan që marrëveshja me Serbinë ta ketë “njohjen në qendër”.
E, cfarë duhet të ketë në qendër të marrëveshjes, sipas përfaqësuesit amerikan?
Escobar thotë se njohja duhet të ndodhë dhe në këtë pikë, SHBA-ja nuk ka ndryshuar asnjëherë qëndrim. Megjithatë, kjo nuk është kryefjala e Escobarit, kur pyetet për “qendrën”, për të cilën flet udhëheqja kosovare.
“Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, një marrëdhënie e mirë, marrëdhënie e qëndrueshme mes të gjitha shteteve të rajonit. Dhe në fund, njohja e plotë e së drejtës së të gjitha shteteve për të ekzistuar, e pavarësisë dhe sovranitetit të tyre. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar kurrë në këtë aspekt, që njohja duhet të ndodhë”, ka thënë Escobar. /Express/

