Mediat raportojnë se prokurorët po hetojnë pretendimet se August Hanning i pagoi një ish-ndihmësi për sekrete të BND-së, të cilat ai “planifikonte t’i rishiste” si pjesë e punës së tij si konsulent.
Ish-kreu i shërbimit gjerman të inteligjencës, August Hanning është arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe tradhti, sipas disa raportimeve mediatike, në një rast që mund të shndërrohet në një nga skandalet më të mëdha të spiunazhit në Gjermani.
Gazetat “Bild” dhe “Sueddeutsche Zeitung” raportuan sot se prokurorët federalë po hetojnë Hanningun, i cili drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005, si dhe një të dyshuar të dytë.
Sipas “Bild”-it, dyshimet përfshijnë marrjen e sekreteve shtetërore, tradhtinë dhe spiunazhin për një fuqi të huaj. Gazeta tha se Hanning i pagoi një ish-anëtari të stafit drejtues të BND-së për informacione të klasifikuara dhe dyshohet se “planifikonte t’i rishiste” ato si pjesë të punës së tij si konsulent.
“Sueddeutsche Zeitung” raportoi se Hanningut iu siguruan materiale sekrete nga shërbimi disa vite pasi ai ishte larguar nga detyra, nga ish-drejtori i zyrës së tij. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ai ua përcolli këto sekrete fuqive të huaja, raportoi gazeta.
Gazeta e përshkroi rastin si potencialisht një nga çështjet më të mëdha të spiunazhit në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.

