Arabia Saudite ka hequr dorë nga planet për ndërtimin e një stadiumi futuristik me vlerë 2.5 miliardë dollarë, i cili ishte parashikuar të ishte një nga objektet kryesore sportive për Kupën e Botës në futboll të vitit 2034.
Vonesat e vazhdueshme në realizimin e “Neom”, megaprojektit më të rëndësishëm shtetëror, kanë ngritur dyshime serioze për të ardhmen e disa prej planeve arkitekturore më ambicioze të mbretërisë saudite.
Sipas të dhënave të platformës MEED Projects, e cila monitoron projektet e ndërtimit në Lindjen e Mesme, ndërtimi i stadiumit spektakolar është vënë në pritje. Projekti aktualisht klasifikohet si “i pezulluar përkohësisht”, pa ndonjë të dhënë se kur mund të rifillojnë punimet.
Ky objekt sportiv ishte menduar të ishte një mrekulli arkitekturore – i vendosur në një lartësi prej 350 metrash brenda kompleksit 160 kilometra të gjatë “The Line”, me një kapacitet të planifikuar prej 46 mijë spektatorësh.
Kur Arabia Saudite prezantoi në vitin 2024 kandidaturën e saj për organizimin e Kupës së Botës 2034, stadiumi në Neom ishte një nga 15 objektet e propozuara. Në dhjetor të po atij viti, FIFA ia dha zyrtarisht Arabisë Saudite të drejtën e organizimit, duke e bërë atë vendin e parë që do ta organizojë i vetëm kampionatin në formatin e ri me 48 kombëtare.
Megjithatë, pezullimi i ndërtimit të këtij stadiumi ngre sërish pikëpyetje mbi të ardhmen e projektit “The Line”, i cili përbën zemrën e strategjisë “Vision 2030” të princit të kurorës Mohammed bin Salman. Qëllimi i kësaj strategjie është transformimi i thellë ekonomik i vendit dhe zvogëlimi i varësisë nga nafta.
Guvernatori i Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite (PIF), i cili administron Neom-in, Yasir Al-Rumayyan, kishte paralajmëruar më herët një ndryshim kursi, duke deklaruar se “The Line” nuk është më një prioritet absolut dhe se projekti nuk është vendimtar për periudhën deri në vitin 2030. Megjithëse anulimi i drejtpërdrejtë i projekteve nuk është konfirmuar zyrtarisht, zhvillimet në terren tregojnë një realitet tjetër.
Nga ana tjetër, komiteti lokal organizativ i Kupës së Botës 2034 ka tentuar ta qetësojë opinionin publik, duke deklaruar se realizimi i infrastrukturës kryesore për turneun tashmë është në zhvillim e sipër. Komiteti ka publikuar edhe fotografi që tregojnë përparimin e punimeve në kantieret e tjera në mbarë vendin.
Vendimi për pezullimin e stadiumit vjen vetëm disa muaj pasi u ndal edhe ndërtimi i “Mukaab” – një rrokaqielli gjigant në formë kubi, i cili ishte planifikuar të bëhej qendra e lagjes së re elitare Murabba në Riad.
Analistët theksojnë se PIF po largohet gjithnjë e më shumë nga megaprojektet futuristike jashtëzakonisht të kushtueshme, duke u orientuar drejt investimeve që premtojnë kthim financiar më të shpejtë dhe më të sigurt.
Ndryshimi i strategjisë ekonomike është pasojë e drejtpërdrejtë e sfidave në rritje ekonomike dhe të sigurisë. Eksportet e energjisë janë nën presion të madh për shkak të zgjerimit të konfliktit rajonal dhe luftës ndërmjet SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Një problem shtesë paraqesin Huthët e Jemenit, të cilët kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës saudite.
Vetëm të shtunën, Huthët morën përgjegjësinë për një sulm pranë një objekti të gjigantit të naftës Aramco në Riad. Edhe pse dëshmitarët raportuan tym dhe zjarr, autoritetet saudite ende nuk janë deklaruar zyrtarisht për incidentin.
Për shkak të rënies së të ardhurave nga nafta dhe shpenzimeve të mëdha, Ministria saudite e Financave parashikon deficit buxhetor për këtë vit, ndërsa BPV-ja reale pritet të shënojë rënie prej 3.6 për qind.
Pavarësisht të gjitha pengesave, Kupa e Botës 2034, kandidaturën e së cilës FIFA e kishte përshkruar si “absolutisht të pabesueshme”, mbetet një nga elementet kryesore të strategjisë së Mohammed bin Salman për forcimin e ndikimit global të Arabisë Saudite.

