Shoferi i Angelinës Jolie rekrutohet me forcë gjatë vizitës së saj në Ukrainë

Vizita e aktores së njohur të Hollywood-it, Angelina Jolie, në Ukrainë është shndërruar në një situatë të tensionuar pasi shoferi i saj lokal është rekrutuar me forcë nga autoritetet ushtarake ukrainase.

Jolie, e cila është ambasadore e UNICEF-it, ndodhej në rajonin jugor të Hersonit për të takuar fëmijët e prekur nga lufta, në një zonë që shpesh është nën sulme me dronë dhe raketa ruse.

Sipas mediave ukrainase, gjatë vizitës shoferi që e shoqëronte është ndaluar dhe më pas marrë nga zyrtarë të qendrës lokale të rekrutimit ushtarak, të cilët e kanë “dërguar për shërbim të detyruar”.

Ushtria ukrainase e ka konfirmuar incidentin, por më pas ka fshirë njoftimin zyrtar, duke deklaruar se “informacionet e përhapura në media janë keqinterpretuar” dhe se është hapur një hetim për sqarimin e rastit.

Zyra Ushtarake e Regjistrimit në Mykolaiv sqaroi se shoferi ishte rezervist dhe se ishte thirrur për trajnim të ri, por nuk është konfirmuar nëse ai është dërguar realisht në front.

Sipas disa burimeve, Angelina Jolie hyri në territorin ukrainas pa njoftuar paraprakisht qeverinë e Kievit, duke mbërritur në rajonin e Hersonit në këmbë.

Aktorja nuk ka bërë asnjë koment publik për incidentin. Ajo kishte vizituar më herët Ukrainën në prill 2022, kur u takua me fëmijë të plagosur dhe familje të zhvendosura nga lufta, duke u premtuar se “do të kthehej sërish për t’i ndihmuar.”

Kategoritë
BotaLajme