Shkon në 800 numri i viktimave nga tërmeti në Afganistan

Ka shkuar në 800 numri i viktimave dhe mbi 1 mijë e 300 të plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Afganistanin lindor.

Siç shkruajnë mediat e huaja, helikopterët po transportojnë të plagosurit në vendet e sigurta, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për të mbijetuar nën rrënoja.

Në provincën Kunar, tre fshatra janë shkatërruar plotësisht, ndërsa dëme të mëdha raportohen edhe në shumë fshatra të tjerë.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, numri i të vdekurve dhe plagosurve mund të rritet ndjeshëm.

Afganistani preket shpesh nga tërmetet, sidomos në malet Hindu Kush, ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.

Vetëm vitin e kaluar, një seri tërmetesh në perëndim la më shumë se 1 mijë viktima, ndërsa një tërmet me magnitudë 6.3 më 7 tetor 2023 shkaktoi vdekjen e të paktën 4 mijë personave.

 

Kategoritë
BotaLajme