Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë është duke krijuar një ambient të pasigurt për qytetarët e saj. Vetëm në periudhën janar – tetor të vitit 2022 janë raportuar 18 raste vrasje dhe vrasje e rëndë, të cilat kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje dërguar Telegrafit nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës.
Rasti i parë i vrasjes gjatë këtij viti ka ndodhur qysh në fillim të janarit, ku një grua 48 vjeçare u vra nga burri i saj në Llaushë të Skenderajt, Skender Qerimi, të cilin Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me 24 vite burg dhe 500 euro gjobë.
Ndërsa, rasti i fundit i vrasjes së rëndë u shënua mëngjesin e së premtes, ku një 63 vjeçare në Prishtinë, arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet, Prishtinë u qëllua për vdekje me sëpatë nga bashkëshorti i saj.
Më poshtë mund të lexoni për rastet e vrasjeve në Kosovë gjatë 2022-së:
51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se më datë 05.01.2022 me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.
Një tjetër vrasje, kishte tronditur fshatin Dumnicë nga Komuna e Podujevës. I riu me inicialet M.K 30-vjeçar nga fshati Dumnicë i Podujevës kishte mbetur i vdekur (12.01.2022) pas plagëve të marra, pasi ishte qëlluar nga një pushkë gjuetie.
E, mëngjesin e së martës të datës 02.03.2022, 14 vjeçari Riad Hyseni u ther për vdekje rrugës për në shkollë, nga një 15-vjeçar tjetër në Prishtinë.
Një 26-vjeçar, më datë 02.05.2022 kishte vdekur pas plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Greikoc të Suharekës.
Një tjetër person vdiq më datë 07.05.2022 pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga një zyrtar policor në fshatin Gushtericë e Poshtme të Graçanicës.
Po ashtu edhe një 30 vjeçar kishte mbetur i vdekur si pasojë e lëndimeve të marra nga të shtënat me armë zjarri që kishin ndodhur të martën (10.05.2022) rreth orës 14:00 në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.
Ndërkaq, një tjetër vrasje e rëndë kishte ndodhur më datë 28.05.2022, ku në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj, një person la të vdekur një 30 vjeçar pasi shtiu me armë zjarri. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës e cila kishte bërë të ditur se policë civil pasi kanë vërejtur të dyshuarin i kanë kërkuar që të ndalet, por pasi i njëjti nuk i është bindur urdhrave dhe me pistoletë në dorë i është kthyer zyrtarëve policor, njëri nga zyrtarët ka shkrepur në drejtim të të dyshuarit.
Një vrasje e rëndë (23.07.2022) kishte tronditur fshatin Baks të Skenderajt. Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vdekur një person kurse dy të tjerë ishin plagosur.
E në muajin shtator, saktësisht më 25.09.2022 një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, në Kolovicë të Prishtinës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.