Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerallejtnant Eyal Zamir, të dielën thuhet se reagoi ashpër gjatë mbledhjes së kabinetit izraelit, duke u bërë thirrje ministrave që të pranojnë propozimin aktual për marrëveshjen mbi lirimin e pengjeve dhe armëpushimin, në vend që të këmbëngulin për zgjerimin e operacionit ushtarak në Gaza, raporton Times of Israel.
Sipas raportit të Kanalit 13 izraelit, ministrat iu kundërpërgjigjën Zamirit, duke pretenduar se vlerësimet e tij të mëparshme për qëndrimet dhe vendimet amerikane kishin rezultuar të pasakta. Ky incident është i fundit në një varg përplasjesh mes udhëheqjes ushtarake dhe politikanëve izraelitë mbi strategjinë e luftës në Gaza.
Debat i ashpër në kabinet për Gazën
Të dielën në mbrëmje, gjenerali Zamir u takua me një rreth të ngushtë ministrash dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar planet mbi intensifikimin e operacionit me synim pushtimin e qytetit të Gazës.
“Po përgatis ushtrinë për operacione tokësore dhe po thërras rezervistë që të mposhtin Hamasin sipas udhëzimeve tuaja,” u tha Zamir ministrave. Pastaj ngriti disa pyetje të ashpra: “Pse ekipi ynë negociator nuk po udhëton tani nëpër botë për të siguruar me çdo kusht marrëveshjen? Pse gjithmonë duhet të varemi nga SHBA-ja?”.
Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt drejtorit të Mossadit, David Barnea: “Pse je ulur këtu? Pse je në Izrael? Shko dhe siguro marrëveshjen për ne!”. Barnea udhëheq ekipin izraelit në negociatat ndërkombëtare me Hamasin për lirimin e 47 pengjeve të mbetur të marrë më 7 tetor 2023.
Ministri për Çështje Strategjike, Ron Dermer, iu përgjigj ashpër Zamirit, duke e kujtuar për vlerësimet e tij të pasakta para sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor. “Ti qëndroje këtu dhe thoshe se SHBA-ja nuk do të ishte me ne në Iran, se nuk do të luftonte përkrah nesh,” tha Dermer. “Në fund, gjithçka ndodhi ndryshe nga ç’thoje ti dhe vlerësimet e tua.”
Dermer shtoi se propozimi aktual për marrëveshjen e pengjeve është në tavolinë pikërisht sepse qeveria nuk e dëgjoi qëndrimin e Zamirit. “Atëherë pranoni marrëveshjen!”, iu kundërpërgjigj shefi i shtabit.
Netanyahu kritikoi rrjedhjen e informacionit
Mbledhja u shënua edhe nga përplasja e kryeministrit Netanyahu me komandantët ushtarakë për rrjedhjen e informacionit në media mbi mospajtimet e tyre me planin për operacionin në qytetin e Gazës. “Çfarë është kjo?” thuhet se tha Netanyahu, duke tundur artikuj gazetash.
“Ndërpritni informimet dhe deklaratat publike kundër operacionit. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Ne kemi marrë një vendim dhe ju duhet ta zbatoni. Kjo nuk është ushtri që ka shtetin; ky është shtet që ka ushtri.”
Më pas ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e pyeti gjeneralin Zamir: “Cila është reagimi yt ndaj këtyre akuzave?”. Shefi i Shtabit tha se nuk ishte i njohur me asnjë lloj informimi për gazetarët.
Zamir gjatë mbledhjes shprehu gjithashtu shqetësimin për koston e lartë që do të kishte operacioni, si në jetë ushtarësh, ashtu edhe për pozitën ndërkombëtare të Izraelit. Ai më parë kishte paralajmëruar se operacioni mund t’u kushtonte jetën dhjetëra ushtarëve.
Sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve mbështesin marrëveshjen për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës, ndërsa planit për operacion në Gazë i kundërvihen veçanërisht familjet e pengjeve, nga të cilët besohet se vetëm njëzet janë ende gjallë.