“Këtu nga ky vendkalim, ne shohim dhimbjen dhe pashpirtësinë e gjithë kësaj. Një varg i gjatë kamionësh të bllokuar të ndihmave në njërën anë të portave, hija e gjatë e urisë në anën tjetër. Kjo është më shumë se tragjike. Është një fyerje morale”
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë thirrje për lejimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
“Këtu nga ky vendkalim, ne shohim dhimbjen dhe pashpirtësinë e gjithë kësaj. Një varg i gjatë kamionësh të bllokuar të ndihmave në njërën anë të portave, hija e gjatë e urisë në anën tjetër. Kjo është më shumë se tragjike. Është një fyerje morale”, tha Guterres në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur në anën egjiptiane të kalimit Rafah, ngjitur me Rripin e Gazës.
Guterres theksoi se është koha për një “angazhim të hekurt” nga Izraeli për qasje të plotë dhe të papenguar për mallrat humanitare në të gjithë Gazën.
“Është koha për të përmbytur vërtetë Gazën me ndihma për të shpëtuar jetë. Zgjedhje është e qartë, përpara ose uria”, tha ai.
Shefi i OKB-së mbërriti më herët në qytetin egjiptian El-Arish, ngjitur me Rripin e Gazës, ku vizitoi pacientët palestinezë në spitalin e qytetit.
Kjo ishte vizita e dytë nga Guterres në Egjipt që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza më 7 tetor.
Dje, zv/zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, njoftoi “udhëtimin vjetor të solidaritetit” të shefit të OKB-së në Egjipt dhe Jordani, duke shënuar muajin e shenjtë musliman të Ramazanit.
Haq theksoi se shefi i OKB-së do të takohet me punonjësit e ndihmës humanitare.
Ai shtoi se Guterres do të ketë një darkë iftari në Kajro me refugjatët nga Sudani dhe gjithashtu do të takohet me zyrtarë egjiptianë.
Haq po ashtu përmendi se Guterres do të vizitojë objektet e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) gjatë vizitës së tij në Jordani.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Që atëherë, mbi 32 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe afër 74.300 të tjerë janë plagosur.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të shumicës së popullsisë së Gazës, ndërkohë që pjesa më e madhe e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.