Shefi i BE’së konfirmon se heqja e masave varet edhe nga themelimi i Asociacionit

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në një konferencë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, pas dorëzimit të raportit për Kosovën, u pyet nëse heqja e masave nga BE-ja kushtëzohet me themelimin e Asociacionit.

Ai tha se janë tri pika për të cilat ka pritshmëri BE-ja nga Kosova për t’i hequr masat e përkohshme dhe pika për dialogun që e përfshin edhe Asociacionin.

“Masat janë implementuar bazuar në deklaratën e 27 vendeve anëtare. Ka qenë reagim ndaj zhvillimeve në fund të majit duke përfshirë sulmin kundër ushtarëve të KFOR-it. Kjo deklaratë është mjaft specifike se çfarë pritet nga Kosova. Pra, janë tri çështje; deeskalimi në veri; zgjedhjet e parakohshme; angazhimi në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit”, tha ai.

Szunyog tha se pret që të shohin që hapat e kërkuar të ndërmerren sa më shpejt dhe të hiqen masat.

Raporti po ashtu thotë se ne duhet të shohim më shumë hapa të tillë. Dhe shpresoj që hapat të ndërmerren sa më shpejt që është e mundur dhe që edhe masat të hiqen dhe që Kosova të mund të gëzojë potencialin jo vetëm nga mekanizmat ekzistues, por edhe nga Plani i ri i Rritjes”.

Kategoritë
LajmeVendi