Presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, pak para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, iu hoqën sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile në Siri.
Heqja e sanksioneve erdhi një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri të njëjtën gjë.
Sanksionet kundër tij datonin nga periudha kur ai udhëhiqte krahun e HTS-së gjatë luftës civile në Siri.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, nga emri i al-Sharaas është hequr etiketa “terrorist global”.
E njëjta etiketë është hequr edhe për ministrin sirian të Punëve të Brendshme, Anas Khattab, raporton reuters.
Kujtojmë se Departamenti i Thesarit të SHBA-së kishte lëshuar që në maj një leje të përgjithshme që autorizon transaksionet që përfshijnë qeverinë e përkohshme siriane të udhëhequr nga presidenti, Ahmed al-Sharaa, si dhe bankën qendrore dhe ndërmarrjet shtetërore.Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po ashtu në maj kishte dhënë një përjashtim 180-ditor për të siguruar që sanksionet të mos pengonin investimet dhe për të mundësuar furnizimin me energji elektrike, energji, ujë dhe shërbime sanitare, si dhe për të lehtësuar përpjekjet humanitare.

















