SHBA ndaloi dhënien e vizave pothuajse për të gjithë ata që kanë pasaportë palestineze, nuk lejohet as për trajtim mjekësor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar dhënien e vizave pothuajse për të gjithë ata që kanë pasaportë palestineze, raportoi të dielën New York Times.

Kufizimet shkojnë më tej se ato që administrata e Donald Trump kishte njoftuar më herët për vizitorët nga Gaza. Sipas gazetës, ato do të pengonin palestinezët të udhëtonin drejt SHBA-së për trajtim mjekësor, ndjekjen e studimeve universitare dhe udhëtime biznesi, duke cituar zyrtarë të paemëruar.

Dy javë më parë, Departamenti i Shtetit deklaroi se do të pezullonte të gjitha vizat për vizitorët nga Gaza derisa të kryhej një “rishikim i plotë dhe i detajuar”, një hap që u dënua nga grupet pro-palestineze.

Të premten, SHBA filloi të refuzonte dhe anulonte vizat edhe për anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) dhe Autoritetit Palestinez (AP), pak para seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, konfirmoi Departamenti i Shtetit.

Sipas marrëveshjes si vend mikpritës i OKB-së në New York, SHBA nuk duhet të refuzojë viza për zyrtarët që udhëtojnë për në organin botëror për Asamblenë e Përgjithshme, por Departamenti i Shtetit tha se po i përmbahet marrëveshjes duke lejuar misionin palestinez të marrë pjesë.

“Administrata e Trump-it ishte e qartë: është në interesin tonë kombëtar të sigurisë që ta mbajmë OÇP-në dhe AP-në përgjegjëse për mosrespektimin e detyrimeve të tyre dhe për minimin e perspektivave për paqe,” thuhej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Masa e re e afron edhe më shumë administratën Trump me qeverinë e djathtë izraelite, e cila e refuzon kategorikisht shtetin palestinez.

 

Kategoritë
BotaLajme