Serbia dhe Izraeli nisin fabrikë të përbashkët pranë Beogradit: Do të prodhohen dy lloje dronësh

Gazeta izraelite Haaretz shkruan se fabrika për prodhimin e dronëve, të cilën Aleksandar Vuçiç e paralajmëroi para disa javësh, në fakt do të jetë një projekt i përbashkët i Izraelit dhe Serbisë. Fabrika do të jetë në pronësi të përbashkët të kompanisë Elbit Systems dhe prodhuesit kryesor shtetëror të armëve në Serbi, SDPR.

Elbit Systems dhe SDPR planifikojnë që në këtë objekt të prodhojnë dy lloje mjete ajrore pa pilot: dronë të armatosur me rreze të shkurtër dhe mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë, sipas dokumenteve zyrtare dhe dy burimeve të pavarura.

Dokumentet tregojnë se Elbit do të ketë 51 për qind të aksioneve në këtë ndërmarrje. Partneriteti i ri i çon marrëdhëniet e mbrojtjes mes Serbisë dhe Izraelit në një nivel më të lartë. Në dy vitet e fundit, eksporti i armëve nga Serbia drejt Izraelit është rritur 42 herë, duke arritur në 114 milionë euro në vitin 2025. Pjesa më e madhe e këtij eksporti realizohet nga SDPR.

Sipas raportimeve të Haaretz dhe BIRN nga gushti i kaluar, eksporti i armëve ka vazhduar pavarësisht deklaratës së presidentit serb për pezullimin e të gjitha eksporteve të mbrojtjes.

Të dhënat e Haaretz tregojnë se eksporti nga Serbia është intensifikuar pas shpërthimit të luftës në vitin 2023 me Hamasin dhe Hezbollahun. Në kontekstin e mungesës së municionit gjatë luftës, dërgesat e armëve nga Beogradi drejt bazës ajrore izraelite Nevatim janë rritur ndjeshëm përmes një “ure ajrore”.

Sipas Vuk Vuksanović, ligjërues i politikës së jashtme në King’s College London, Serbia mund të përfitojë ekonomikisht dhe teknologjikisht nga ky partneritet, duke fituar qasje në ekspertizën e Elbit, një nga prodhuesit më të avancuar të armëve në botë.

Për Izraelin, ky projekt ndihmon në sigurimin e një zinxhiri prodhimi dhe furnizimi jashtë vendit që ndodhet “në gjendje të vazhdueshme konflikti”.

Në aspektin gjeopolitik, udhëheqja serbe e sheh Izraelin si një “rrugë të shkurtër drejt Shtëpisë së Bardhë”, në një kohë kur Vuçiç dhe partia e tij përballen me rënie të popullaritetit pas 14 vitesh në pushtet.

“Prioriteti i tyre kryesor është të qëndrojnë në pushtet, dhe për këtë është më mirë të mos zemërohen amerikanët, sidomos duke marrë parasysh veprimet e Donald Trump në skenën globale”, tha Vuksanović.

SDPR nuk iu përgjigj pyetjeve, ndërsa Elbit deklaroi se “nuk ka koment”.

Fabrika e dronëve do të vendoset në zonën industriale të Šimanovcit, rreth 30 kilometra në perëndim të Beogradit. Sipas planeve të siguruara nga BIRN dhe të konfirmuara nga dy burime të industrisë ushtarake serbe, objekti do të prodhojë dronë që mund të mbajnë ngarkesa të rënda për misione me rreze të shkurtër, si dhe mjete ajrore pa pilot të avancuara me rreze të gjatë, të dizajnuara për të operuar në lartësi deri në 6 kilometra.

Sipas një burimi, droni i ri do të tejkalojë aftësitë e modelit serb Pegasus.

“Kjo është thelbi, sepse këtë nuk mund ta arrijmë vetë. Ideja është të fitojmë njohuri dhe teknologji, me pjesëmarrjen e inxhinierëve serbë në projekt”, tha burimi.

Një burim tjetër shtoi se në projekt do të përfshihen edhe inxhinierë nga UTVA, prodhuesi i avionëve në pronësi të SDPR.

Sipas të dhënave të SIPRI, Elbit Systems është prodhuesi kryesor i armëve në Izrael. Në dy vitet e fundit, kompania ka nënshkruar dy marrëveshje të mëdha me Serbinë: në fillim të vitit 2025 ka shitur sisteme artilerie dhe mjete ajrore pa pilot me vlerë 335 milionë dollarë.

Në gusht u nënshkrua një marrëveshje tjetër me vlerë 1.6 miliardë dollarë për blerjen e dronëve, raketave me rreze të gjatë dhe sistemeve të luftës elektronike. Të ardhurat e Elbit Systems për vitin 2025 arritën rreth 8 miliardë dollarë.

Kategoritë
LajmeRajoni