Serbi Dario Ristić “Brzi”, i cili luftoi në Ukrainë, u arrestua në aeroportin e Sarajevës

Dario Ristić, i cili luftoi në ushtrinë ruse në Ukrainë, u arrestua javën e kaluar në aeroportin e Sarajevës gjatë kthimit të tij në Bosnje e Hercegovinë.

Ristić kishte lënë BiH më 17 nëntor 2023, prej nga përmes Turqisë përfundoi në Rusi. Atje luftoi në kuadër të formacionit ushtarak “Ariu i Perm-it” deri sa u plagos në front.

Gjatë luftimeve në rajonin e Donbasit me forcat ukrainase, ai humbi një këmbë pasi shkeli mbi një minë, pas së cilës fitoi edhe shtetësinë e Federatës Ruse.

Një rrugë pa kthim

Pas dy vitesh qëndrimi në Rusi, Ristić vendosi të kthehej në BiH, pavarësisht faktit se agjencitë e sigurisë e kishin identifikuar si person që kishte marrë pjesë në një front të huaj.

Pas arrestimit, të premten Gjykata e BiH i ka caktuar Ristićit një muaj paraburgim.

Vetë Ristić shpesh kishte kërcënuar me destabilizim në BiH “kur të mbaronin punë me nazistët në Ukrainë”, duke aluduar në kthimin e të gjithë vullnetarëve serbë në BiH.

Kategoritë
LajmeRajoni