Në këtë protestë u përcollën mesazhe të ndryshme si “Ne duam vetëm paqe”, “Shtërpca është Serbi”, “Evropë, çfarë faji ka vendi ynë”, “Vuçiq, mbroj paqen dhe serbët”, “Ndal dhunës ndaj serbëve” e të tjerë.
Është mbajtur në qendër të Komunës së Shtërpcës protestë me rreth 2 mijë qytetarë serbë nga Shtërpca dhe komuna të tjera të Kosovës si reagim pas plagosjes së dy personave nga komuniteti serb të premten në këtë komunë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta, e cila u mbajt para Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, u paralajmërua nga kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili është edhe nënkryetar i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, zyrtarët e së cilës kanë dhënë dorëheqje në nëntor nga institucionet kosovare.
Në këtë protestë u përcollën mesazhe të ndryshme si “Ne duam vetëm paqe”, “Shtërpca është Serbi”, “Evropë, çfarë faji ka vendi ynë”, “Vuçiq, mbroj paqen dhe serbët”, “Ndal dhunës ndaj serbëve” e të tjerë.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët po kalojnë në kohë të vështirë aktualisht në Kosovë, sepse në krye të institucioneve është Albin Kurti, politika e të cilit është që serbët të shpërngulen nga vendi.
Por Rakiq tha se serbët nuk duhet të dorëzohen.
“Lufta jonë me mjete paqësore dhe demokratike dhe harmonia jonë janë armët tona më të forta për t’i rezistuar regjimit diktatorial antiserb të Albin Kurtit dhe më besoni nëse jemi të bashkuar me siguri do të fitojmë. Nuk ka zgjidhje për ne, duhet të qëndrojmë dhe të mbijetojmë pasi të parët tanë kanë qëndruar në kushte shumë më të vështira dhe kanë mbijetuar në këto zona”, tha Rakiq.
Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha se sot në protestë janë të gjithë dhe po dërgohet mesazhi se serbët nuk do të dorëzohen dhe nuk do të frikësohen. Jevtiq tha se protestat po dërgojnë mesazhe paqeje.
“Ditë të vështira kanë ardhur, sot në ditën e dytë të Krishtlindjeve, në vend që ta festonim këtë festë me traditën e ortodoksisë, na u desh të ngremë zërin me një protestë kundër të shtënave të djemve tanë të rinj, pse, vetëm se janë serbë, vetëm se e sollën pemën e Krishtlindjes”, tha Jevtiq.
Më 6 janar Policia e Kosovës njoftoi se dy persona, një 11 vjeçar dhe një 21-vjeçar, u plagosën me armë zjarri në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i dyshuari për këtë rast ka shtënë me armë zjarri ndaj dy viktimave derisa ishte me një automjet në lëvizje në rrugën nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.
Lidhur me rastin Policia ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare, me nënshtetësi kosovare.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha se “në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” dhe se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë.
Të dielën u mbajt seanca gjyqësore për caktimin e masës ndaj ushtarit të FSK-së, i cili dyshohet se ka plagosur dy të rinjtë serbë. Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K., i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja ne tentativë”.
Incidentin në Shtërpcë e kanë dënuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.
