Senatori i njohur amerikan trondit me deklaratë: Zoti do ta braktisë SHBA-në nëse ndalojmë mbështetjen për Izraelin

Kryetari i Komisionit të Buxhetit në Senatin amerikan, senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, paralajmëroi të mërkurën kolegët e tij të partisë se “Zoti mund ta braktisë Amerikën nëse qeveria ndalon së mbështeturi Izraelin”.

Deklarata e tij erdhi si përgjigje direkte ndaj akuzave të kongresmenes Marjorie Taylor Greene, e cila më herët kishte akuzuar Izraelin për gjenocid ndaj palestinezëve. Graham e hodhi poshtë këtë qëndrim, duke thënë se Izraeli është “në një luftë për mbijetesë” dhe i rrethuar nga armiq “që do t’i vrisnin të gjithë po të mundnin”.

“Jam lodhur nga fjala ‘gjenocid’. Nëse Izraeli do të donte të kryente gjenocid, do ta bënte – ka kapacitetin. Por ata nuk e bëjnë. Hamasi do ta bënte për 30 sekonda, vetëm se nuk ka mundësi. Kjo është një dallim i madh,” tha Graham.

Ai u tha republikanëve se Izraeli është “aleati më i besueshëm i SHBA-së në Lindjen e Mesme” dhe “një demokraci e rrethuar nga njerëz që do t’u prisnin fytin po të mundnin”. Graham shtoi se mbështetja për Izraelin është “një vendim i lehtë për çdo amerikan dhe çdo të krishterë”.

“Nëse Amerika e tërheq mbështetjen për Izraelin, Zoti do të tërheqë mbështetjen për ne. Kjo nuk do të ndodhë sa të jem unë këtu,” tha ai, duke përfunduar se “Izraeli është në anën e së mirës, ndërsa islamistët radikalë në anën e së keqes”.

Polemika brenda kampit republikan
Greene, e cila muajin e kaluar akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza, kritikoi edhe kolegët e saj republikanë për mbështetjen ndaj këtij vendi, duke akuzuar lobin e fuqishëm pro-izraelit AIPAC për shkelje të ligjeve amerikane dhe për veprim si “agjent i huaj”.

“Së fundmi, çdo anëtar i ri i Kongresit është çuar në Izrael për t’u takuar me kryeministrin. Po flasim për një vend me armë bërthamore, shëndetësi dhe universitete të financuara nga taksapaguesit, që ka të gjitha mundësitë të shkatërrojë armiqtë e vet – gjë që po e shohim tani në Gaza,” tha Greene.

Ajo u shpreh se është e gatshme të “luftojë deri në fund” kundër AIPAC-ut, duke shtuar se “Amerika është e ngopur” me një ndikim të tillë.

Greene nuk është e vetme në radhët republikane në kundërshtimin e mbështetjes ushtarake e politike për Izraelin. Ish-strategu i Trump-it, Steve Bannon, ka kritikuar disa herë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ka kërkuar hetim mbi lidhjet e mundshme të Fox News me “shërbime të inteligjencës së huaja”. Qëndrime të ngjashme kanë shprehur ish-prezantuesi Tucker Carlson dhe ish-kongresmeni Matt Gaetz.

Sipas të dhënave publike, gjatë karrierës së tij politike, Graham ka marrë mbi një milion dollarë donacione nga AIPAC dhe organizata të tjera lobuese pro-izraelite.

Kategoritë
BotaLajme