Një grup senatorësh me ndikim nga Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër sekretarit të shtetit Marco Rubio dhe ambasadorit amerikan në Izrael Mike Huckabee, duke kërkuar që të bëhen publike detajet mbi punën dhe financimin e Fondacionit Humanitar për Gazën (GHF).
Letra, e nënshkruar nga senatorët Elizabeth Warren, Chris Van Hollen dhe Peter Welch, akuzon Departamentin e Shtetit se nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet themelore mbi GHF-in.
Aty theksohet se “neglizhimi i protokolleve të brendshme dhe i paralajmërimeve të stafit nga ana e departamentit është veçanërisht shqetësues, duke pasur parasysh se është e pamundur të kryhet mbikëqyrja elementare mbi fondet që Departamenti i Shtetit i ka siguruar GHF-it”.
Sipas Guardian, i cili ka pasur qasje në letër, senatorët kërkojnë që:
“Departamenti i Shtetit të ndalojë menjëherë financimin e GHF-it dhe të ridrejtojë ose të rikthejë fondet te organizatat humanitare me përvojë, duke marrë parasysh provat e forta e gjithnjë e më të shumta që GHF nuk po arrin të përmbushë misionin e tij humanitar.”
Ish-presidenti Trump kishte deklaruar se SHBA kishte paguar 60 milionë dollarë ndihmë ushqimore për Gazën, ndërsa Departamenti i Shtetit publikisht kishte konfirmuar në qershor miratimin e një granti prej 30 milionë dollarësh për GHF-in. Departamenti megjithatë nuk ka publikuar detaje mbi këtë grant, gjë që, sipas senatorëve, përbën shkelje të ligjit amerikan.
Raportet shqetësuese
OKB kishte raportuar në mes të gushtit se gati 1.000 palestinezë ishin vrarë pranë lokacioneve të GHF-it që nga fillimi i operacioneve të tij në maj.
Këto shqetësime dalin në një kohë kur agjencia është përmendur në një projekt të njohur si “Gaza Riviera”, që sipas kritikëve do të shërbente si mbulesë për spastrimin etnik të madh të popullsisë palestineze. Thuhet se projektin e kanë zhvilluar qarqe të afërta me GHF-in.
Në letrën e tyre, senatorët demokratë kritikojnë GHF-in edhe për lidhjet e tij me qeverinë dhe shërbimet e inteligjencës izraelite:
“Dhënia e ndihmës humanitare një popullsie të uritur nuk duhet të shërbejë si justifikim për operacione ushtarake e të inteligjencës,” thuhet aty.
Ata kanë kërkuar gjithashtu kopje të dokumenteve të ndarjes së fondeve, auditimeve të brendshme, lejeve të eksportit për shërbime ushtarake dhe verifikimeve të tjera të nevojshme ligjërisht për operacionet e GHF-it – dokumente që ende nuk janë publikuar.