Seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë shoqërohet me tensione

Seanca e parë e konstituimit të legjislaturës së re është hapur dhe drejtuar nga deputeti i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Vasil Llajo, ndërkohë nuk munguan as debatet dhe tensionet

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur seancën e parë të Legjislaturës së 11-të, e dalë nga zgjedhjet e majit, raporton Anadolu.

Seanca e parë e konstituimit të legjislaturës së re është hapur dhe drejtuar nga deputeti i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Vasil Llajo, ndërkohë nuk munguan as debatet dhe tensionet.

Të pranishëm në seancë ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe deputetët e propozuar për postet ministrore.

Drejtuesi i seancës së konstitumit të Kuvendit lexoi emrat e deputetëve dhe më pas njoftoi ngritjen e komisionit për verifikimin e mandateve.

Gjatë seancës, kryetari i partisë opozitare, Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi të mbajë një fjalë në foltore, ndërsa deputetët e opozitës qëndruan pranë foltores për disa minuta, disa prej tyre duke debatuar edhe me drejtuesin e seancës.

Tensionet filluan pasi fjala e Berishës u ndërpre nga drejtuesi i seancës, pasi sipas tij, në seancën e sotme nuk lejohen debatet dhe fjalimet për procedura.

Deputetët e opozitës mbanin gjithashtu në duar portrete të disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve që sipas tyre janë të lidhur me krimin dhe çështjet e korrupsionit

Seanca e cila zgjati rreth 25 minuta u ndërpre, ndërkohë seanca e konstituimit të Kuvendit do të vazhdojë përsëri sot në orën 17:00 me betimin e deputetëve të rinj dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Për postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, është propozuar ish-ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Më 11 maj 2025 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetë.

Partia Socialiste, partia në pushtet e drejtuar nga kryeministri Rama fitoi zgjedhjet, duket siguruar mandatin e katërt qeverisës. Pa konstituimit të Kuvendit në ditët në vazhdim do të miratohet edhe qeveria e re.

Kategoritë
LajmeRajoni